Transportonin mallra kontrabandë, arrestohen dy persona! Në kërkim dy punonjës të doganës në Kakavijë, lejuan kamionin të kalonte

01/11/2023 13:35

Dy persona nga Vlora janë arrestuar në Kakavijë pasi po transportonin mallra kontrabandë, ndërsa dy punonjës së doganës janë shpallur në kërkim pasi lejuan kamionin të futej në Shqipëri.

O. Gj., 35 vjeç, dhe R. S., 47 vjeç u kapën në në flagrancë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, teksa transportonin me kamion me qëllim shitjen, mallra të ndryshme të papajisura me faturat tatimore apo me deklaratat e origjinave, me vlerë 30 000 euro.

Mallrat dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia në vendin tonë, pa kryer procedurat e zhdoganimit. Kështu janë shpallur në kërkim dy punonjësit e doganës, I. H., 40 vjeç dhe A. S., 38 vjeç, të dy me detyrë doganier në PKK Kakavijë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kondrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”,

Mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me kamionin.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, si rezultat dhe i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se dy shtetas kishin kontrabanduar nga shteti grek në vendin tonë, me kamion, sasi të konsiderueshme mallrash, organizuan dhe finalizuan, operacionin policor të koduar “Tranzit 2″”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel