Studentët e Mjeksisë do të kthehen në mësim pas një përgjigje pozitive që morën pas takimit me rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Prof Arben Gjata.
Deri në dalje të vendimit të gjykatës kushtetuese, nuk do të ketë penalitete për ta, qoftë mungesa për orët e mësimit që kanë humbur apo dhe zëvendësim të orëve të mësimit
“Rektori shprehu gatishmërinë për të na mbështetur brenda hapësirës juridike dhe deri të hënën që vjen do të kemi një përgjigje me shkrim që nuk do të ketë mungesa për ne, po penalitete të tjera”, u shpreh një student.
“Ne këtë donim, do të kthehem në auditorë që sot po qe nevoja, por sot nuk ka mësim përveç atyre që duan të shkojnë në praktike, kështu që mbetet për nesër. Por derisa të kemi një përgjigje, pasi në të kundër ne dalim sërish në protesta”, shprehet një studente.
Një përfaqësi studentësh u fut në takim me rektorin Gjata në orën 8 të mëngjesit të kësaj të hëne, ndërkohë që të tjerët vijuan protestën në korridoret e rektoratit deri në pritje të përgjigjes. Pas pothuajse një orë, përfaqësia e studentëve doli me një përgjigje pozitive, çfarë bëri që pothuajse pas një muaji bojkot, studentët e Mjekësisë të kthehen në auditore deri në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse do ta shfuqizojë apo jo nenin që i detyron studentët të ofrojnë shërbim shëndetësor në vendin e tyre, pas përfundimit të studimeve nga tre deri në 5 vite, e më pas të pajisen në diplomë.
Deri atëherë studentët insistojnë në kërkesën e tyre për t’u takuar me ministren e Arsimit e cila sipas tyre, nuk ka dëshiruar të ballafaqohet me ta gjatë një muaji që studentët protestonin para ministrisë që ajo drejton.
Top Channel