Shkolla “Naim Frashëri” në Bujanoc/ Veliaj: Do të investohet nga bashkia e Tiranës

28/10/2023 13:30

Pas shkollës “Dituria” në Komunën e Preshevës, Bashkia e Tiranës do të kontribuojë edhe për një shkollë tjetër të luginës së banuar nga shqiptarë, atë në Bujanoc, e cila mban emrin “Naim Frashëri”.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që presim Këshillin Komunal vendor të Bujanocit, një qytet që e kemi për zemër. Lugina e Preshevës është ndoshta nga ato pjesë të kombit tonë që ka edhe sfidat më të mëdha. Ne mund të kemi beteja që janë të zgjidhshme mes nesh, se në fund të ditës janë debate brenda shtetit dhe qeverisë sonë, por është pak më ndryshe kur je në minorancë dhe kur të duhet të jesh gjithmonë e më shumë në përpjekje për të qëndruar me dinjitet dhe për ta mbajtur kokën lart, për të ruajtur atë gjuhë, atë traditë, atë kulturë dhe për të rritur ata fëmijë me dashuri për këtë vend, për këtë komb dhe këtë kulturë që kemi”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se mbështetja e Bashkisë së Tiranës për Luginën e Preshevës do të jetë e vazhdueshme.

“Falë bashkëpunimit të dy Këshillave kemi një propozim për të investuar në shkollën mban emrin e rilindasit të madh, Naim Frashëri. Tiranës i shkon të investojë në palestrën e shkollës sepse jemi Qyteti Europian i Sportit. Na shkon edhe sepse besoj që fëmijët që merren me sport, ndoshta nuk do jenë të gjithë për ekip olimpik, por ama do të dinë të luajnë në skuadër, do mësojnë që jeta ka humbje, por ka edhe fitore”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadani shprehu mirënjohjen e tij për këtë mbështetje dhe bashkëpunimin e Tiranës me Preshevën.

“E përshëndes pranimin e propozimit për rregullimin e një palestre sportive të shkollës fillore “Naim Frashëri”, që fëmijët tanë e kërkojnë prej një dekade, dhe jam shumë mirënjohës për kryetarin Veliaj dhe Këshillin Bashkiak të cilët e pranuan këtë nismë. Ky nuk është financimi i parë i Tiranës atje. Kjo bashki para një muaji ka bërë të njëjtën gjë me një shkollë në Komunën e Preshevës. Tani po vjen në Komunën e Bujanocit dhe kemi marrë mbështetjen që të koordinohemi dhe bashkërendohemi në ide, për të vazhduar bashkëpunimin e sinqertë vëllazëror të Luginës së Preshevës me Tiranën, sepse nga thellësia e shpirtit, nga thellësia e zemrës, Tirana dhe Shqipëria është në zemrat tona”, tha Ramadani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA