Mediat: Pamjet nga spitalet në Gaza bëjnë ferrin e Dantes të duket si ‘një mbrëmje çaji’ (fotot)

26/10/2023 16:14

Organizatat e ndihmës thonë se bombat e Izraelit kanë vrarë tashmë më shumë se 2000 të mitur në dy javë goditje në Gaza, ndërsa një prej doktorëve të qytetit të luftës tha se “edhe ferri para kësaj do të dukej si një mbrëmje çaji”, shkruan rrjeti britanik Mirror.

Spitalet në Gaza po mbeten pa energji dhe karburant për gjeneratorët teksa shiu i vdekjes vijon ndaj civilëve e fëmijëve në rajon.

UNICEF tha sot se bombat e ushtrisë kanë vrarë tashmë 2,360 fëmijë në pak më shumë se dy javë, teksa bënte thirrje të dëshpëruara për armëpushim.

Adele Khodr, drejtoresha e UNICEF për lindjen e Mesme e Afrikën e Veriut, tha se situata në Gaza është “një njollë e madhe në ndërgjegjien kolektive të të gjithëve”.

“Masa e vdekjeve dhe plagosjeve ndaj fëmijëve është shokuese. Akoma më i frikshëm është fakti se nëse nuk ka ulje të tensioneve dhe lejim të ndihmave humanitare, ushqimit, ujit karburantit e mjekimeve, numri i vdekjeve do të vijojë të rritet”, shtoi Khodr.

Ndërsa në Izrael një nënë britanike me dy vajzat u varrosën dje të vrara në sulmet e Hamas më 7 tetor.

48 vjecarja Lianne Sharabi, dhe bijat Yahel, 13 vjeçe, e Noiya, 16, u varrosën në funeralin e përbashkët.

Khaled, doktor në spitalin Al-Awda në veri të Gaza, tha: “Situata është kritike teksa përballemi me sfida të mëdha në dhënien e shërbimit. Nëse nuk marrim karburant do të duhet të ndërpresim shërbimet. Po punojmë me dy gjeneratorë, ndërsa në Gaza nuk ka rrymë elektrike prej 17 ditësh. Ka shumë pacientë dhe nuk ka krevate të mjaftueshme”.

Mads Gilbert, i Komisionit Norvegjez të Ndihmës, tha se duke qëndruar në kodrat e Sderot, 3 km larg kufirit me Gaza, numëroi 11 shpërthime masive në më pak se dhjetë minuta. Shtëllunga të mëdha tymi dukeshin në distancë teksa oshtimat jehonin mes tokave bujqësore.

Ai shtonte se kolegët në Gaza i kishin përshkruar skena të tmerrshme: “Imagjinoni një spital i mbushur me 5,000 deri në 15,000 civilë që strehohen aty, si dhe me pacientë që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjike”.

“Kjo do të bënte ferrin e Dantes të dukej si një mbrëmje çaji.” Teksa trupat e ushtrisë izraelite janë akumuluar në përgatitje të pushtimit tokësor, zyrtarët thonë se goditjet ndaj “Hamas dhe infrastrukturës terroriste” do të vijojnë.

Ministria e shëndetësisë në Gaza tha se viktimat e sulmeve izraelite i kanë kaluar 6,500 njerëz. Kreu i OKB Antonio Guterres bënte thirrje dje për lejimin e karburantit e furnizimeve në Gaza, duke shkaktuar dhe debate pas komentit se sulmet e 7 tetorit “nuk ndodhën gjatë një vakumi”, pra në kohë paqeje, duek iu referuar inkursioneve të përditshme të ushtrisë izraelite në qytetet e Bregut Perëndimor e Rripin e Gazës.

FOTO GALERI
1/8
Khaled, doktor në spitalin Al-Awda në veri të Gaza, tha: “Situata është kritike teksa përballemi me sfida të mëdha në dhënien e shërbimit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA