Gjashtë punonjës të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRËA, janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, e pohuar nga Zyra e OKB-së për Çështje Humanitare (OCHA).

Që prej 7 tetorit kur shpërtheu konflikti mes Izraelit e Hamasit, 35 anëtarë të kësaj agjencie kanë humbur jetën mes bombardimeve të pareshtura izraelite, të cilat nuk kanë kursyer as punonjësit e ndihmës.

“Ata nuk janë thjesht numra. Ata janë kolegët tanë, janë miqtë tanë”, thuhet në deklaratën e UNRWA që mbështet 5.6 milionë refugjatë palestinezë në Gazë, Bregun Perëndimorë dhe Jerusalemin Lindor, si dhe në Jordani, Liban dhe Siri.

Deri më tani, teksa bilanci i jetëve të humbura nga sulmi i Hamasit në Izrael mbetet 1.400, ai i të vrarëve në Rripin e Gazës kapërceu 5.000. Shumë prej viktimave në enklavën e varfër, janë fëmijë. Pavarësisht rreziqeve megjithatë, disa prej banorëve të veriut të territorit, që u larguan pas thirrjeve të Izraelit për evakuim, po kthehen në shtëpitë e tyre.

“Situata nuk është më e mirë dhe në jug, thonë ata. Njerëzit u larguan e lanë pas cdo gjë, shtëpitë, bizneset, jetën e tyre. Në jug po vuajnë për të gjetur strehim, ushqim nuk ka, u duhet të pijnë edhe ujë të papijshëm. Edhe atje gjendja është shumë keq”, tha për BBC kreu i UNRWA, Thomas White. Por pikërisht në kohën kur Gaza ka nevojë të dëshpëruar për ndihmë, ministrat e jashtëm të BE-së nuk arritën dot një ujdi për të.

I ngarkuari i bllokut për politikën e jashtmë, Joseph Borrell insiston për një armëpushim, që do të ndihmonte dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza dhe lëvizjen e sigurtë të banorëve atje. Ndërsa krerët e diplomacive të BE-së nuk dolën dot me një qasje të përbashkët, pozicionin përfundimtar do ta vendosin krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian në takimin e tyre në Bruksel në fund të javës, theksoi Borrell.

Top Channel