“Mosha e shpëton nga burgu…”/ Artan Hoxha: Berisha nuk e ka bërë lëvizjen e fundit akoma

23/10/2023 19:33

Ish-kryeministri Sali Berisha do të dalë nesër para gjykatës për aferën e Kompleksit “Partizani”, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit pasiv.

I ftuar në “Top Talk”, gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se megjithëse një pjesë e do Berishën në burg, ai gjendet në një moshë që nuk e parashikon ‘arrestin me burg’ ose ‘arrestin shtëpiak’ për çështje të tilla.

Hoxha sqaron se për të vendosur pas hekurave ish-kryeministrin, ai duhet të arrestohet për një shkelje të caktuar në kushtet e flagrancës, ose të jetë i implikuar në ngjarje me rrezikshmëri të lartë.

Sipas Hoxhës, Berisha po çon mesazhe, por nuk e ka bërë lëvizjen e fundit akoma.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Çështja e Kompleksit “Partizani”, ku janë ato pikat që konsiderohen shkeljet më të mëdha? Ne kemi dëgjuar Berishën të japë pretendimet e tij, duke hedhur poshtë akuzat sidomos të Taulant Ballës që është edhe akuzatori kryesor në këtë çështje?

Hoxha: Çështja këtë herë ka filluar pas kallëzimit që ka bërë Taulant Balla, aktualisht ministër i Brendshëm. Por për këtë çështje janë bërë edhe disa hetime të mëparshme.

Unë kam parë reagimin e opinionit publik, ku njëra palë është ende shumë e pakënaqur sepse do një masë ekstreme ndaj Sali Berishës, krahu tjetër e cilëson sulm politik ndaj Berishës.

Berisha sot në një moshë që nuk e parashikon arrestin me burg ose arrestin shtëpiak.

Xhokaxhi: Për korrupsionin pasiv…

Hoxha: Mosha e Berishës është shumë e madhe dhe nuk mund ta mbash Berishën sot në burg për këtë akuzë. Berishën mund ta çosh në burg sot për një ngjarje në kushtet e flagrancës, pra për një ngjarje me rrezikshmëri shumë të lartë.

Xhokaxhi: Mund të shkohet deri në heqje të mandatit të deputetit.

Hoxha: Mandatin mund t’ja heqësh, por Berishës ja kanë hequr edhe herë të tjera imunitetin e deputetit, kështu që është mësuar me këtë gjë dhe nuk i bënë më përshtypje. Kush ka pritur që Berisha të bëjë reagim tjetër ka gabuar.

Madje unë prisja një reagim edhe më të fortë sesa ky që ka bërë deri tani, por Berisha nuk është ende i bindur se çfarë kanë kundër tij ekzaktësisht me qëllim që të bëjë lëvizjen e fundit.

Ai nuk po bën lëvizje, por po çon mesazhe. Ka goditur personalisht prokurorët që janë marrë me çështjen, ka identifikuar se çështja po i bëhet politikisht, ka goditur personalisht familjen e kryeministrit. Është marrë me vajzën e bashkëshortes së kryeministrit, djalin e kryeministrit. Ka dhënë një përgjigje aty për aty, më keni goditur familjarisht do t’ju godas familjarisht.

Për t’u ndalur në faktin se nëse ka pasur shkelje apo jo, unë mendoj se kjo është një çështje në process gjyqësor, kështu që nëse ka çështje të tilla atë e vendos drejtësia, do ta vendos gjykata.

Top Channel