Mbi dy javë luftë Izrael-Hamas, vazhdojnë sulmet/Sirena alarmi në qendër të Izraelit e në Tel Aviv!

22/10/2023 09:26

Lufta Izrael-Hamas që vijon prej 7 tetorit, u shkatërruan e dëmtuan të paktën 42% e të gjitha banesave në Rripin e Gazës.

Sipas Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare, janë 1 milion e 400 mijë të zhvendosur në enklavën palestineze. 566 mijë prej tyre në 148 objekte emergjente të hapura nga një agjenci për refugjatët.

Edhe sot ranë sirenat e alarmit që paralajmërojnë rifillimin e sulmeve me raketa nga Gaza drejt territorit izraelit. Ato u dëgjuan në Izraelin qendror e në pjesën më të madhe të Tel Avivit. Ndërkaq, Hamas njoftoi për mbi 50 viktima nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, gjatë natës.

Ushtria dhe Ministria e Mbrojtjes në Izrael njoftuan vendimin për evakuimin e 14 komuniteteve të tjera izraelite pranë kufirit me Libanin. Tensioni për shkak të raketave nga Hezbollahu dhe fraksionet e tjera palestineze është shumë i lartë. Evakuimi vijon prej javës së kaluar, gjithnjë për arsye sigurie.

Pentagoni njoftoi vendosjen e sistemeve të mbrojtjes në të gjithë Lindjen e Mesme për shkak të atij që e quan “përshkallëzim i fundit nga Irani dhe forcat e lidhura me të në rajon”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, specifikoi se “një sistem i mbrojtjes kundër raketave në lartësi të madhe (Thaad) dhe disa bateri të raketave tokë-ajër Patriot” do të vendosen në të gjithë rajonin ku të tjera mjete ushtarake janë në gjendje gatishmërie.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres përsëriti se “zgjidhja me dy shtete është baza për paqen e vërtetë”. “Ne nuk mund të harrojmë të vetmin themel realist për paqen dhe stabilitetin real: një zgjidhje me dy shtete”, theksoi Guterres.

Në një tjetër zhvillim, mësohet se Moska do t’i kërkojë Kombeve të Bashkuara një takim të ri për Gazën. Rusia synon të kërkojë një takim të ri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar zgjidhjet e konfliktit izraelito-palestinez. Kështu deklaroi zëvendësi i parë i Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara Dmitry Polyansky në televizionin Solovyov Live.

“Patjetër që ne do të thërrasim një tjetër takim të Këshillit të Sigurimit. Siç ka treguar praktika, askush përveç nesh nuk guxon ta bëjë këtë”, shprehet Dmitry Polyansky.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA