Një situatë e pazakontë ka ndodhur ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita e ish-kryeministrit Sali Berisha zgjodhi të bllokojë punimet e seancës dhe vijojë me protestën derisa të realizohen atë që e konsideron të drejtat e saj; mbajtja e Komisioneve Hetimore.

I ftuar në “Top Talk”, avokati Spartak Ngjela është shprehur se akti i kryer nga Berisha ka një qëllim të qartë, destabilizimin e Shqipërisë.

“Ka një shqetësim të madh Beogradi për avancimin e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Beogradin edhe Moska”- tha Ngjela, duke shtuar se: “Saliu ose është me deviacion psiqik ose punon për Beogradin. Sepse ashtu sikurse vepruan ata dje, ne kuptuam se po kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë”.

I ndalur tek aleati i Berishës, Ilir Meta, Ngjela shprehet se atë e ka kapluar heshtja pasi është në hall juridik nga SPAK-u.

Këtu fle lepuri. Le të shohim se si do të shkojë procesi i investigimit penal në të cilin ai është i ngarkuar”- tha Ngjela.

Pjesë nga biseda:

Xhokaxhi: Avokat, 26-27 deputetë mbështetës së zotit Berisha bllokuan punimet e Parlamentit dhe me drita të fikura kanë vijuar të qëndrojnë për disa orë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Do të vazhdojmë tha Berisha, dhe mund të shkojmë deri në grevë urie. Sa rezultativ mund të jetë ky lloj aksioni politik?

Ngjela: Nuk kuptuam çfarë kërkonin. Profesionalisht u them se akti që kryen është kriminal. Pyetja është çfarë kërkuan? Asgjë. Por në një vend donin të dilnin. Ka një shqetësim të madh Beogradi për avancimin e botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Bashkë me Beogradin edhe Moska.

Atëhere, nëse do t’i bënim një analizë politike do të thoshim se Saliu ose është me deviacion psiqik ose punon për Beogradin. Sepse ashtu sikurse vepruan ata dje, ne kuptuam se po kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë, i cili s’mund të ndodhë dhe ata po lodhen kot sikurse janë lodhur deri tani. Si mund të vish në pushtet pa vota, është një kohë jo e shkurtër deri në zgjedhjet e reja. Kjo është demokraci, nuk vihet në pushtet me brroçkulla sikurse thotë Saliu. Esenca është, të pakën sipas mendimit tim politik, se ata kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë. Dhe u thash se kush e kërkon.

Xhokaxhi: Avokat, dua mendimin tuaj si jurist meqënse të dyja palët flasin për çështje Kushtetute ose vendime kushtetuese në këtë rast, një nga problemet që ngre PD-ja e Berishës është moslejimi i Komisioneve Hetimore të propozuara nga opozita. Ata pretendojnë se, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, opozita ka të drejtën ligjore të ngrejë çdo Komision Hetimor që ajo kërkon. Si qëndron çështja?

Ngjela: Të drejtën duhet ta ketë ligji. Ligjin e kanë bërë vetë sepse nuk u ka interesuar. Ligji është me mazhorancën parlamentare. Mori fund loja. Komisioni i Hetimit parlamentar ngrihet së bashku me mazhorancën sepse do shumicën në parlament. Ça s’kemi thënë kur miratuan këtë ligj, por nuk dëgjuan të dy palët sepse kishin frikë nga hetimi parlamentar, u binte djersa nën hundë. Tani le ta mbajnë. Vetë e kanë bërë me 140 vota, tani le ta mbajnë. E kanë lënë hetimin parlamentar që ngrihet kundër mazhorancës, në dorë të mazhorancës.

Xhokaxhi: Avokat, si e shpjegoni ju heshtjen e pjesës tjetër të aleancës së Sali Berishës, që është Ilir Meta? U bë shumë kohë që nuk e dëgjojmë?

Ngjela: Kuptohet që ai është në hall juridik nga SPAK-u. Se çdo bëjë SPAK-u nuk e dimë, por që këtu është çështja. Këtu fle lepuri. Le të shohim se si do të shkojë procesi i investigimit penal në të cilin ai është i ngarkuar.

Që kur ka filluar SPAK-u ai e ka ndjerë dhe është në heshtje. Ai mendoi se nuk do të bëhej SPAK-u, po ta mbani mend atë gjestin e tij në parlament, mirëpo nuk i mori dot të gjithë me vete.

Por, Reforma në Drejtësi u bë, doli edhe SPAK-u me emërime, megjithëse ende nuk po shohim se çfarë do të ndodhë. Vetëm dimë atë që tha ambasadorja amerikane për prokurorët e SPAK-ut dhe gjyqëtarët, s’kanë mbrojtje. Janë të trembur. Ne gjendemi në këtë situatë, por nuk luftohet mafja pa garantuar prokurorët sepse ndodhë si në Itali.

Top Channel