Perëndimi nuk po mjaftohet vetëm me thirrje për rikthim në tryezën e dialogut, por po kalon në veprim duke nisur këtë të shtunë në Kosovë e Serbi të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai do jetë i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar. Ata takojnë ndaras dy udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në përpjekje për të nxitur procesin me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të  24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në veri.

“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Zëdhënësi Stano, tha se BE-ja ka “pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

Nga ana e Kosovës duket se mungon besimi tek formati i mëparshëm i dialogut. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh, se procesi i dialogut me Serbinë duhet të “ripërvijohet” pas sulmit të 24 shtatorit, duke ritheksuar thirrjen e Prishtinës zyrtare “për sanksionimin e Serbisë dhe përparësinë që duhet t’i jepet sigurisë në Kosovë’.

Edhe kryeministri Kurti deklaroi se në lidhje me dialogun, se “ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë më 24 shtator”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA