Spanja fitoi 0-1 në Oslo përballë Norvegjisë dhe siguroi kualifikimin në Euro 2024. Kombëtarja iberike iu fal golit të Gavit për të marrë maksimumin në transfertën vikinge. Dhe tani kryeson grupin A me 15 pikë. Po aq sa numëron edhe Skocia.
Përpara se talenti katalanas të realizonte golin e fitores, Spanjë shënoi edhe në pjesën e parë, por goli u anulua. Ishte minuta e 20’ kur mbrojtësi norvegjez Stefan Strandberg dërgoi gabimisht topin në portën e tij.
Devijimi i 33-vjeçarit shkoi drejt rrjetës, ndërkohë që Alvaro Morata, edhe pse në pozicion të parregullt, nxitoi ta shtynte topin në rrjetë. Për të marrë përsipër autorësinë e golit.
Instikti i sulmuesit të Atletico Madrid, bëri që të prekte topin që po shkonte qetësisht drejt portës, por VAR-i anuloi festën e spanjollëve. Që gjithsesi arritën të shënonin sërish me Gavin dhe të pritnin biletën për në Gjermani 2024.
Sulmuesi jeton me golin, por veprimi i kapitenit të Spanjës është kritikuar nga tifozët. “Nuk duhet ta prekte atë top, na rrezikoi fitoren. U tregua egoist i madh“, shkruajnë tifozët spanjollë, duke akuzuar 30-vjeçarin.
Për fatin e tij të mirë, ai gabim u harrua dhe në fund pati festë për suksesin e rëndësishëm në kryeqytetin norvegjez, me Spanjën që tani ka objektiv arritjen e vendit të parë në grup./Supersport
Top Channel