Qëndrimi Ramës për Kosovën, Bardhi: Në një orë fjalim, asnjë fjalë kundër Serbisë

12/10/2023 12:18

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas fjalës kryeministrit Edi Rama në Kuvend, ndërsa po diskutohet çështja e Kosovës.

Ai shprehet se Edi Rama edhe sot zgjodhi të mos fshehë se ka një agjendë personale ndaj Kosovës, që nuk përputhet me interesin kombëtar.

Postimi i plotë:

E paimagjinueshme!

Seanca e sotme ishte për të dënuar sulmin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës. Edi Rama në një orë fjalim, asnjë fjalë kundër Serbisë, asnjë reflektim ndaj qëndrimeve të tij kundër interesit kombëtar, por vetëm mllef ndaj opozitës, Kosovës, institucioneve legjitime të Kosovës dhe tentativë për të nxitur përçarje iracionale të faktorit politik në Kosovë.

Fatmirësisht, Kuvendi i Shqipërisë nuk ra në kurthin e tij të përçarjes për çështjet me interes kombëtar, por ka gjetur dakordësinë për të mbështetur pa rezerva Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe për t’u distancuar nga qëndrimi personal i Edi Ramës kundër Kosovës, siç opozita kërkonte prej 2 javëve. Pas përpëlitjes 2 javore PS u tërhoq dhe Kuvendi i Shqipërisë është unifikuar me të gjithë faktorin politik në Kosovë, duke bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe duke kërkuar hetim ndërkombëtar për të.

Kjo shpjegon mllefin ndaj opozitës në Shqipëri, por nuk justifikon dot mungesën e reflektimit që edhe qeveria e Shqipërisë të unifikohet në qëndrime me qeverinë e Kosovës. Në vend të unifikimit dhe mbështetjes ndaj Kosovës, Edi Rama edhe sot zgjodhi të mos fshehë që ka një agjendë personale ndaj Kosovës, që nuk përputhet me interesin kombëtar dhe me interesin e Kosovës e qytetarëve të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA