Ende pa e marrë veten nga tërmeti i parë, afganët në perëndim të vendit u zgjuan nën dridhjet e dhunshme të tokës që kanë mbjelle tmerr e panik në zonë.

Vetëm pak ditë më parë, një tërmet i magnitudës 6.3 vrau më shumë se 2.000 njerëz dhe rrënoi fshatra të tëra. Ky i fundit, edhe ai i një magnitude mjaft të lartë, 6.3 goditi rreth 28 kilometra larg Heratit, kryeqytetit të provincës Herat, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

Rreth 80 njerëz u lënduan nga tërmeti i mëngjesit të sotëm, ndërsa autostrada kryesore në Herat u bllokua si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Të gjitha 700 shtëpitë në fshatin Chahak, i cili nuk ishte prekur nga tërmeti i kaluar, u shembën sot. Fatmirësisht këtë radhë, këtu nuk pati raporte për të vdekur e kjo ndoshta i detyrohet faktit që banorët janë strehuar nëpër tenda këtë javë, nga frika se tërmetet do të vazhdojnë ta godasin Heratin.

Në fshatrat e këtij rajoni nuk ka mbetur pothuajse asgjë, përveç rrënojave dhe funeraleve pas tërmetit të së shtunës. Në Naib Rafi, një fshat i cili i kishte rreth 2.500 banorë, nuk ka mbetur pothuajse askush i gjallë, përveç burrave që kishin qenë duke punuar jashtë kur tërmeti goditi, sipas dëshmitarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA