Nju Jork, përplasen protestues pro izraelit dhe Palestinës, Scholz: Gjermania është me Izraelin

09/10/2023 14:15

Protestues të të dyja krahëve, pro Izraelit e pro-palestinezëve u mblodhën në Nju Jork e Washington për të përcjellë mbështetjen për palët teksa luftimet mes forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit vazhdojnë ndërsa qeveria e Benjamin Netanyahut urdhëroi rrethimin e plotë të Gazës.

Përkrahësit e Palestinës mbajtën një tubim në Times Square dhe marshuan në Manhattan ndërsa përkrahësit e shtetit hebre u mblodhën pranë konsullatës izraelite atje. Disa nga demonstruesit përcollën mesazhe solidariteti për Palestinën, duke valëvitur flamuj dhe duke shpalosur pankarta.

“Isha për tre muaj në Palestinë si monitoruese e të drejtave të njeriut dhe me sa pashë atje, gjërat janë përkeqësuar ndjeshëm. Nuk jam kundër Izraelit, nuk jam kundër hebrenjve, por kundër shkeljes së të drejtave”, u shpreh një demonstruese pro-palestineze.

Në anën e kundërt të zonës së protestës, valëviteshin flamujt izraelite.

“Jemi këtu për të treguar se në fakt, me mendje e me zemër jemi atje, jemi me ushtarët që mbrojnë vendin tonë dhe me të gjithë ata në front të parë që luftojnë dhe shpresojnë për një të nesërme më të mirë”, u shpreh një demonstruese pro-izraelite Hannah Simpson.

Fyerje e sharje u shkëmbyen mes dy grupimeve, megjithatë falë masave të gjera të sigurisë nga policia, situata nuk përshkallëzoi në dhunë, siç ndodhi ndërkohë në Kirkland, Washington, ku pati përplasje mes mbështetësve palestinezë dhe një grupi pro-shtetit hebre.

Tronditje, shok dhe indinjatë ka shkaktuar në Gjermani ai që nga mediat vendase pershkruhet si terror kundër Izraelit. Rreth 2000 vetë, sipas të dhënave të policisë, u mblodhën në shenjë solidarizimi përpara Portës së Brandeburgut në Berlin, duke valëvitur flamujt e shtetit hebre. Kancelari Olaf Scholz e quajti një sulm barbar mësymjen e Hamasit.

“Siguria e Izraelit është interes prioritar i shtetit gjerman. Kjo vlen pikërisht edhe në këto orë të vështira. Gjermania është në anën tuaj”, tha Scholz.

Izraeli i ka thirrur rreth 300.000 ushtarë rezervistë si përgjigje ndaj sulmit befasues nga militantët e Hamasit, njoftoi të hënën një zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit. Ushtria e përshkroi këtë thirrje si më të madhën në historinë e Izraelit për një kohë kaq të shkurtër. Situata në rajon po rëndohet e BE-ja njoftoi se po përgatitet për mundësinë e shpërthimit të një krize humanitare.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur një takim të ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare për të diskutuar për situatën. Ky samit do të zhvillohet në Muskat ku ndodhen shumica e ministrave europianë për takimin e Këshillit të bashkëpunimit në Lindjen e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA