Ethet e ndeshjes së 12 tetorit mes Shqipërisë dhe Çekisë kanë kapluar tifozët kuqezi.
Për “Më lërë të Flas” në Top Channel, një nga tifozet e Kombëtares është shprehur e emocionuar, pasi Shqipëria është vetëm një hap pranë ëndrrës: Prekjen për herë të dytë të magjisë së evropianit.
“Shumë emocione faktikisht, krahasuar me herët e tjera, sepse duket sikur jemi pranë asaj ëndrrës për t’u kualifikuar përsëri në një kompeticion shumë të madh sikurse është evropiani”- tha ajo.
“Jam tifoz i çmendur i Kombëtares, por Kombëtarja na ka bërë të gjithëve të çmendur këto kohë”- u shpreh një tifoz tjetër kuqezi.
“Jam një nga femrat më tifoze që ka Kombëtarja”- u shpreh një tjetër tifoze.
Mirëpo, ndeshjen e 12 tetorit jo të gjithë tifozët do të mund ta ndjekin nga shkallët e stadiumit, pasi biletat janë shitur në kohë rekord.
“Për bileta ka qenë gati e pamundur njëherë. Unë kam pritur atë ditë deri në orët e para të mëngjesit dhe ishte thuajse e pamundur të gjeje biletë”- tha një tifoz.
“Ishte e pamundur sepse një person është futur dhe ka blerë për të gjithë grupin shoqëror. Pra jo të gjithë të shkojnë dhe blejnë për veten”- tha një tjetër tifoze.
“Nëse s’do kisha biletë stadiumi, gjëja më e çmendur që do të bëja është të ndiqja ndeshjen nga ndërtesa më e afërt që mund të tregonte planimetrinë e plotë të stadiumit”- tha një tifoze.
“Më vjen keq që abuzohet me Kombëtaren këtë herë, por nuk e shmang dot pa e thënë sepse kjo prish pak atmosferën e bukur”- tha një tjetër tifoz.
Në situatën e krijuar ka lulëzuar tregu i zi. TikTok mbetet platforma virale që ka zëvendësuar tregun fizik. Aty ofertat janë të pazakonta, deri tek ndërrimi i një bilete me një makinë.
Ekipi i “Më lërë të Flas” kontaktoi përmes telefonit me një djalë që shet bileta online dhe ai tha se një biletë e sektorit S shkon deri në 300 euro. “Një deputeti që s’mund t’ja përmend emrin ja shiti 500 euro kesh“- u shpreh djali që shiste bileta.
Por ka edhe nga ata tifozë të zjarrtë që do të jepnin shumë më tepër në këmbim të një bilete. Një sipërmarrës ishte i gatshëm të lante 100 metër katror tapete, në këmbim të një bilete.
“Unë jam tifoz vetëm i Kombëtares. Për Kombëtaren japim shpirtin, jo 100 metër katror tapetë”– u shpreh ai.
Top Channel