Një ndër vatrat me problematike dhe më kaotike të zjarrit me të cilën jemi përballur deri më sot.
Kështu e ka cilësuar Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zjarrin disa ditor që po vijon në masivin pyjor të Pishe Poro-Darzezës teksa ka zbritur në terren për të monitoruar nga afër situatën.
Për ministrin Peleshi ndërhyrja nga ajri i dy avionëve Canadar, të nisur nga shteti fqinj grek, ka ndihmuar për vënien nën kontroll të vatrave më problematike të zjarrit teksa ka theksuar se operacioni i ndërhyrjes nga ajri do të vijoje deri në neutralizimin e plotë të tyre.
“Kjo është një vatër shumë e vështirë. Sot ka hyrë tetori dhe këtë zjarr e favorizon era. Bimësia e dizavantazhon betejën me këtë zjarr. Për momentin vatrat janë të fjetura, por janë shumë të rrezikshme. Në total janë 500 trupa të angazhuara dhe mbi 30 zjarrfikëse”, tha ai.
Ministri Peleshi ka pohuar gjithashtu se krahas operacionit nga ajri do të vijojë edhe operimi në terren i të gjitha forcave operacionale.
“Çdo ndërhyrje ka rëndësinë e vetë si nga ajri ashtu edhe nga toka. Falenderojmë Greqinë për ndihmën që po na jep me anë të dy avionëve Canader, por nuk mjafton vetëm ndërhyrja nga ajri. Specifika që paraqet ky zjarr e ka të domosdoshme veçanërisht ndërhyrjen nga toka, gjë të cilën kemi bërë që ditën e parë të zjarrit”, u shpreh Ministri.
Ministri Peleshi tha ndër të tjera se zjarri për momentin nuk rrezikon banesat dhe në rast të përhapjes së tij ka një plan për evakuimin e menjëhershëm të banorëve.
Top Channel