Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së studentëve, duke dënuar dhunën e pretenduar ndaj protestuesve dhe duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për përdorim të forcës ndaj tyre.
Në reagimin e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve, prindërve dhe mbështetësve të opozitës që t’u bashkohen studentëve në protestën e paralajmëruar për nesër, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit.
Reagimi i plotë i Sali Berishës pas protestës:
Dita e sotme dhe nata ishin dita e dhunës më të egër shtazore të regjimit ndaj rinisë studentore që nga dhjetori ’90 e gjer sot.
Sot ‘Padrino’ i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtroi ndaj studentëve në protestë paqësore, dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90 ndaj studentëve çlirimtarë.
Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetare dhe gazetarë që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare.
U thyen gjymtyrët, u gjakosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks dhe në gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste.
Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrët, në kohë kur ai nuk po kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt, dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre.
Të tjerëve, banorëve, u kanë hedhur në ballkon bomba të gazit.
Gazetarëve të tjerë u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë. Protesta studentore e thirrur nga studentët dhe sindikata e universiteteve mori mbështetje të gjerë popullore nga qytetarët.
Dhe Edi Rama, i tmerruar, zgjodhi dhunën e egër ndaj studentëve. Shprehu urrejtjen e tij të pakufishme ndaj tyre. Janë me dhjetëra të shtuar në spital. Deputetë të PD-së, kanë ndjekur me shqetësim të madh gjendjen e të plagosurve.
Qarkullojnë në lajme të pakonfirmuara, të cilat nuk i bëj publike deri sa të konfirmohen. Por dhuna e egër, thyerja e kofshëve, çarja e kafkave, plagë të tjera mbi protestuesit janë fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe e Ervin Demos.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtaret dhe aktivistët e PD-së, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë pavarësisht bindjeve politike, ftoj prindërit e çdo të riu të vendit, të mbështesin protestën e tyre dhe kërkesën për largimin e Edi Ramës
Nesër në orën 14 para Ministrisë së Arsimit. Studentët kanë nevojë për mbështetje, ndaj le të bashkohemi nesër, studentë, prindër, të rinj, qytetarë, si të pamposhtur. Si qëndruan sot, si luan të vërtetë mbrojtën kërkesën e tyre.
Kjo është fytyra e regjimit ndaj rinisë, nesër të gjithë në mbështetje të studentëve, nesër është dita e studentëve.
Top Channel