“Hojëzat”, hapet kopshti i 50-të në Njësinë 8, Veliaj: Shqipëria, vend i mundësive! Në tetor hapim Piramidën

27/09/2023 12:29

Pranë shkollës së re 9-vjeçare “Kiço Blushi”, e ndërtuar një vit më parë nga Bashkia e Tiranës, ka çelur dyert edhe një kopshti i ri.

Quhet “Hojëzat” dhe vjen me një infrastrukturë moderne arsimore, me kapacitet për 120 fëmijë. Ky është kopshti i 50-të që hapet në kryeqytet. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se veç shkollave dhe kopshteve, Tiranës i janë shtuar edhe 49 çerdhe të reja.

“Ky është kopshti i 50-të! Kemi hapur edhe 49 çerdhe. Pra, në total, 99 institucione arsimore, si qendra edukimi dhe zhvillimi për fëmijët. Por, kemi edhe 200 shkolla, mes të cilave janë 40 shkolla të reja, të cilat u hapën vitin e kaluar, ndërsa këtë vit shkollor hapim edhe 9 shkolla të tjera të reja. Sot nuk ka më vend as për debat sepse nuk debatojmë kush bëri 99 shkolla, kush bëri 100 të tilla. Sot bilanci është: 99 kopshte e çerdhe me 0. 40 shkolla të reja me 0. Ndaj, duhet të shohim përpara. Nuk mund të matemi me ata që vetëm shajnë e përçajnë, e sot janë non grata”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se Shqipëria e vogël dhe modeste është vend i mundësive të mëdha. Ai shtoi se një prej qendrave më të mëdha si Piramida do të jetë në funksion të fëmijëve dhe të rinjve të Tiranës.

“Më vjen mirë që bashkë me kryeministrin dhe me kujdesin e tij të posaçëm, muajin tjetër do të hapim një tjetër qendër për fëmijë si Piramida e Tiranës. A kemi hapësira të reja ku fëmijët mund të mësojnë kompjuter? Patjetër që kemi, por duke u dhënë atyre hapësirën më të madhe të qendrës së qytetit, tregojmë se për fëmijët kemi pronën më të mirë dhe mësimdhënien më unike, që lidhet me punët e së ardhmes. Kur pas fjalimeve, fjalët i kthen në vepra, ke dhënë provën se vërtet beson te ky projekt”, vijoi më tej ai.

Veliaj tha po ashtu se Tirana është qyteti që ka pasur rritjen më të madhe të turistëve pas Antalias.

“Ka qenë e gjitha merita e qytetarëve të Tiranës, atyre që kanë hapur shtëpitë e tyre, madje punojnë edhe me ‘Airbnb’, por edhe i një stafi të përkushtuar të kësaj skuadre që, duke filluar nga hyrja në qytet, e deri tek sheshi “Skënderbej” apo edhe në periferinë më të largët, ku është Zipline apo Teleferiku, apo ku ka një bunker nuklear për të parë, apo edhe në vende të tjera ku më përpara dora e shtetit ishte absente, ka punuar me dashuri, me pasion dhe me cilësi”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA