Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha.
“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka.” – njoftoi Teatri i Durrësit këtë të diel ndarjen nga jeta të mjeshtrit të skenës Lutfi Hoxha, homazhet për të cilin do të mbahen nesër në hollin e teatrit “A. Moisiu”.
Profesionalizmi, qytetaria dhe pasioni për aktrimin e mbajtën gjithë jetën të lidhur me skenën dhe qytetin e lindjes. Ai mbetet një nga kolosët e roleve dytësore në kinematografinë shqiptare dhe një nga aktorët themelues të teatrit profesionist të Durrësit. Portreti i tij nuk harrohet lehtë për shkak të profesionalizmit dhe mirësisë që gjeneron në secilin prej roleve të realizuara. Afro 7 dekada jetë skenike dhe i palodhur.
Publiku e ka mirëpritur me duartrokitje interpretimin dhe atë që përccon nga vetja ndërsa ngjitet në skenën e teatrit apo luan role kinematografike. Ai lindi në Durrës më 1 qershor të vitit 1934 ku dhe kreu mësimet e para për të vijuar liceun artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Nisi të merret me teatër që kur ishte amator në grupin e Kantierit Detar ku spikati talenti dhe aftësia e tij për të krijuar karaktere. Në estradën e ushtrisë u shqua sidomos për monologët e tij të realizuar me vërtetësi dhe plot humor.
Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike. Disa prej filmave në të cilat ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, ”Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe Lenini” etj. Dalja në pension nuk i solli apati profesionale, përkundrazi. Vijoi t’i përgjigjet ftesave të regjisorëve. Luajti në “Qytet pa dashuri” të Bashkim Hoxhës, “Trokitje në dyert e dhimbjes” nga Serafin Fanku, monologun e Edipit në “Edipi Mbret”, “Nuk paguajmë, nuk paguajmë” të nobelistit Dario Fo, në komendinë “Dy vëllezër e gjysmë”, si dhe në Teatrin Kombëtar “Korbi i bardhë”.
Top Channel