Maturantët prej ditës së djeshme po vijojnë regjistrimet në universitetet ku ka më shumë interes.
Ndër degët më të kërkuara ishte Mjekësia, por një nga fakultetet më të preferuar të Universitetit të Tiranës është padyshim edhe Fakulteti Juridik.
Në një intervistë për gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, dekania e këtij fakulteti zonja Dorina Hoxha ka folur për interesin e studentëve për regjistrimin në këtë fakultet dhe se sa të drejta studimi ofron Juridiku për këtë vit akademik.
Kristi Gongo: Si ka shkuar procesi dhe cilat janë pritshmëritë tuaja. Sa aplikime ka pasur dhe sa vende të lira, nëse keni, janë bosh?
Hoxha: Procesi i regjistrimit zyrtarisht ka filluar edhe në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës. Duke pasur parasysh edhe kalendarin e aplikimeve në universitet për vitin 2023, rezulton që i gjithë procesi në dallim nga viti i shkuar është vetëm me dy raunde. Aktualisht ne jemi në raundin e parë, në fazën e parë dhe në këtë raund në fakt janë disa faza, të cilat janë 48 orëshe ose 2 ditore. Ne vlerësojmë gjithmon në fakt, dhe bëjmë krahasime me vitin e shkuar, se sa është numri i studentëve apo i maturantëve dhe aplikantëve të regjistruar këtë vit. Dhe krahasuar me vitin e shkuar, raundin e parë, në fazën e parë ne kemi dyfishimin e aplikantëve të regjistruar. Sigurisht që kjo është diçka positive dhe na bën që ne të vijojmë punën tonë në mbështetje të studentëve në formimin e tyre për t’i bërë juristë të mirë të tregut.
Kristi Gongo: Në tërësi aplikimet si kanë shkuar?
Hoxha: Çdo vit akademik në fakultetin e drejtësisë numri i aplikantëve ka qenë dukshëm i lartë. Edhe këtë vit akademik ne kemi patur 3737 aplikime. Kuotat e miratuara nga Ministria e Arsimit kanë qenë 670 dhe sigurisht kjo tregon interesin e lartë të aplikantëve në fakultetin e Drejtësisë të UT dhe rrit për ne përkushtimin.
Kristi Gongo: Mendoni se ndikon edhe drejtësia e re, me reformat që janë kryer në nxitjen dhe frymëzimin e të rinjve për t’u arsimuar këtu dhe më tej për të pasur një treg pune? A ka treg pune për kaq shumë të diplomuar?
Hoxha: Për një student që diplomohet nga Fakulteti i Drejtësisë dhe aq më mirë nga Universiteti i Tiranës. Sigurisht, që arsyeja kryesore është Reforma në Drejtësi dhe ka shumë vende vakante në pozicionet e prokurorëve, gjyqtarëve dhe ndihmësve ligjor. Mirëpo, duhet parë edhe pak më larg në mundësi të tjera punësimi sepse një diplomë juristi mund të hap shumë mundësi. Mund të ushtrosh profesionin e lirë, por po të shohim edhe konkurset që bëhen në rang vendi shumica e tyre kërkojnë jurist. Punësimi, sigurisht mund të jetë në organizata ndërkombëtare. Në institucione shtetërore dhe private. Dmth, deri tani studentët që janë diplomuar në fakultetin e drejtësisë në shumë pak raste mund të ketë që nuk janë të punësuar. Dhe vetë Fakulteti i Drejtësisë në fakt ka shumë marrëveshje në institucione shtetërore dhe private, duke u dhënë mundësi punsimit të studentëve në ato institucione, por edhe stafin tonë akademik.
Fakulteti i Drejtësisë vazhdon të jetë një ndër institucionet e arsimit të lartë më të preferuar për studentët. Procesi i regjistrimeve, i cili ka nisur nga data 29 gusht, do të vazhdojë deri në 11 shtator për raundin e parë, pasi të gjithë ata maturantë të cilët nuk kanë fituar të drejtën e studimit në raundin e parë do të kenë një mundësi të dytë aplikimesh në raundin e dytë, nga 15 deri më 17 shtator dhe më pas të regjistrohen nga data 18- 20 shtator. Më pas do të kemi nisjen e vitit të ri akademik më 2 tetor, të përcaktuar nga Ministria e Arsimit.
Top Channel