Momentet e tmerrit kur vagoni trenit shpërthen në zjarr duke lënë 10 të vdekur në Indi (fotot)

26/08/2023 15:22

Në pamje të tmerrshme shiheshin sot momentet kur një tren shpërthen në flakë, duke lënë të paktën 10 persona të vdekur në Indi.

Mjeti hekurudhor u përfshi nga flakët kur një bombul gazi që po përdorej për të bërë kafe shpërtheu në stacionin e Madurai, Indi, sipas raportimeve.

Në pamje treni shihet që tronditet nga disa shpërthime teksa pasagjerët që ulërinin vraponin për t’i shpëtuar katastrofës.

Më shumë se 20 njerëz u plagosën në incidentin e mëngjesit të sotëm.

Zjarri vazhdoi për afro dy orë derisa grupe e zjarrfikësve arritën të shuanin flakët.

Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë teksa të plagosurit dhe trupat e viktimave po transportohen drejt spitalit të Madurai.

Vagoni që raportohet se ishte prenotuar privatisht, kishte rreth 65 pasagjerë që kishin ardhur nga Uttar Pradesh dhe kishin nisur udhëtimin e tyre prej 17 gushtit.

Por tragjedia goditi kur vagoni u nda nga pjesa tjetër e trenit dhe u parkua në stacionin hekurudhor të Madurai në shtetin jugor indian të Tamil Nadu.

Zyrtarët thanë se zjarri kishte nisur kur dikush ndezi ngrohësen e gazit por rrethanat e tragjedisë ende nuk janë qartësuar.

Autoritetet thonin se zjarri nisi nga ndezësja që ishte sjellë pa autorizim nga disa pasagjerë dhe se kur ndodhi ngjarja para agimit, shumë nga udhëtarët ishin në gjumë.

Pasagjeri 65 vjeçar Shivaprathap Singh Chauhan, tha për rrjetin vendas ‘Times of India’ ishte zgjuar nga tymi në vagon dhe kishte ndihmuar të largonte njerezit nga vagoni, por më pas kishte humbur ndjenjat nga tymi dhe ezaurimi.

Aksidente të rënda janë regjistruar shpesh në rrjetin e gjerë hekurudhor në vend, që transporton çdo ditë rreth 20 milionë pasagjerë.

FOTO GALERI
1/3
Zjarri vazhdoi për afro dy orë derisa grupe e zjarrfikësve arritën të shuanin flakët.

Top Channel