Megaoperacion antikanabis/ 7 mijë efektivë dhe 90 dronë në terren, mbi 24 mijë rrënjë të asgjesuara! Dy persona në kërkim

20/08/2023 12:42

Një “ushtri” policësh ka zbarkuar në Veri të vendit me qëllim asgjesimin e parcelave me kanabis të zbuluara në zonat e thella.

Megaperacioni antidrogë zgjati 72 orë, u zhvillua në malësinë e Krujës, Shkodrës, Lezhës, Fushë Arrëz dhe Tropojës, me ndërhyrjen e 90 dronëve të cilësisë së lartë dhe 7000 forcave policore.

Si rezultat i kontrolleve, janë asgjësuar në total 24 220 bimë kanabis Ndërkaq, në territorin e fshatit Arst, Pukë, shërbimet policore gjetën dhe sekuestruan 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve, si dhe u shpall në kërkim shtetasi N. H.. Po ashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e këtij fshati, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre.

Kështu:

Në qarkun Shkodër, u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Ndërkaq, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit.

Në malësinë e Krujës, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.

Në qarkun Lezhë, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike kanabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.

Në zona malore të rrethit të Tropojës, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e kësaj veprimtarie kriminale.

Policia e Shtetit paralajmëroi intensifikimin e kontrolleve në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.

Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për denoncimin e çdo paligjshmërie, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA