“Liri për çlirimtarët!”, qytetarët e Hasit tubim në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë

27/09/2026 20:31

“Liri për çlirimtarët!” Kjo ishte thirrja që shoqëroi sot qindra qytetarë të Hasit në sheshin e Krumës, në një tubim në mbështetje të ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Me pankarta dhe flamuj, qytetarët kërkuan drejtësi dhe shprehën mbështetjen e tyre për të akuzuarit.
Tubimi u organizua pas zhvillimeve të fundit në proceset e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Organizatorët e cilësuan këtë si një çështje që lidhet jo vetëm me individët që ndodhen në Hagë, por edhe me mënyrën se si vlerësohet lufta e UÇK-së.
Në Krumë folën edhe ish-deputeti Petro Koçi, gjenerali Kudusi Lama, i cili gjatë luftës në Kosovë drejtoi Divizionin e Kukësit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Nga Kruma, mesazhi i organizatorëve ishte i drejtpërdrejtë: mbështetje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe kundërshtim ndaj asaj që ata e konsiderojnë si cenim të luftës dhe sakrificës së UÇK-së. Një tubim që e riktheu në qendër të vëmendjes solidaritetin e Hasit me Kosovën dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Top Channel