Nëse do të vuloset, do të jetë marrëveshja më e madhe e armatimit në historinë e Izraelit!
SHBA-ja i dha dritën jeshile shtetit hebre t’i shesë Gjermanisë sistemin e mbrojtjes ajrore “Arrow 3”. OK-i i Washingtonit konsiderohej si pengesa historike për marrëveshjen, negociatat mbi të cilën u zhvilluan pas fillimit të luftës ruse në Ukrainë.
Ajo duhet nënshkruar nga Ministritë e Mbrojtjes së të dyja vendeve, si dhe nga industria ajrore izraelitë. Komisionet parlamentare të buxhetit dhe mbrojtjes në Bundestag e miratuan në qershor marrëveshjen, kostoja e së cilës kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove, sipas të dhënave izraelite.
Financimi do të merret nga fondi i posaçëm gjerman për ushtrinë prej 100 miliardë eurosh, që u aprovua si reagim pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë. “Arrow 3” është prodhuar si bashkëpunim me Izraelit dhe SHBA-së.
Sistemi i fuqishëm i mbrojtjes ajrore pritet te jetë i gatshëm për përdorim në vitin 2025. Ai është projektuar për t`i shkatërruar raketat balistike jashtë atmosferës së Tokës, e thuhet të jetë mjaftueshëm i fuqishëm për të ofruar një ombrellë mbrojtëse edhe për shtetet fqinje të Gjermanisë në BE.
Top Channel