Përdornin lëndë plasëse për të nxjerrë mineral, procedohen 4 shtetas

12/08/2023 15:28

Goditet një tjetër rast i aktivitet ekonomik, në një subjekt minerar, në cënim të rregullave për përdorimin civil të lëndëve plasëse dhe pa qenë të pajisur me dëshmitë përkatëse të aftësive për këtë aktivitet, procedohen penalisht 4 shtetas.

Të proceduarit, drejtuesi teknik i subjektit minerar, dy magazinierë dhe një zjarrmëtarë.

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme të ushtruara nga Strukturat e DVP Dibër, në subjektet minerare që operojnë në qark, me qëllim verifikimin e zbatimit të ligjeve, kritereve dhe standardeve të sigurisë, të parashikuara për këto subjekte, është konstatuar një tjetër rast ku disa shtetas vepronin në paligjshmëri, konkretisht në fshatin Cërujë. Për këtë shkak u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse”, për shtetasit A.S., 62 vjeç, A.K., 60 vjeç, I.D., 60 vjeç, D.Sh., 57 vjeç, të gjithë banues në Klos.

Nga provat e siguruara si rezultat i hetimit dhe i monitorimit të kryer prej disa muajsh, ndaj aktivitetit të këtyre shtetasve, rezultoi se në subjektin me drejtues teknik shtetasin A.S. dhe me magazinier shtetasit A.K., dhe I.D., ishte përdorur  lëndë plasëse në cenim të rregullave për përdorimin civil të tyre.

Gjithashtu rezultoi se shtetasi D.Sh., vijonte të ushtronte profesionin e zjarrmëtarit në këtë subjekt minerar,  edhe pse i kishte përfunduar afati i dëshmisë së aftësisë për këtë profesion

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA