“Ndal policia”! Parandalohet krimi në Vlorë/ Në pranga xhaxhai dhe nipi, sekuestrohen dy mina me telekomandë

10/08/2023 14:26

Dy persona, xhaxha e nip kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës këtë të enjte.

Ata janë Fatjon dhe Ergys Gjonaj, përkatësisht 33 dhe 19 vjeç, persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët fshihnin në kroskotin e makinës dy mina me telekomandë të programuara për shpërthim në distancë.

Dy të arrestuarit u ndaluan në hyrje të Vlorës, gjatë operacionit policor të koduar “Knock Out 2”, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë.

Dy minat me telekomandë dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale.

Policia thekson se vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për të mësuar qëllimin e dy personave, si dhe për kapjen e dy subjekteve të tjera të dyshuara të përfshira në këtë rast.

Kujtojmë se dy ditë më parë, Policia e Vlorës parandaloi një tjetër ngjarje të rëndë kriminale dhe vuri në pranga një person që lëvizte me pistoletë me silenciator, me doreza dhe me kapuç në çantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA