Policia greke ka ndaluar në një autobus të linjës Athinë-Tiranë, një shtetas kroat i dyshuar si pjesë e grupit që ekzekutuan një tifoz grek 29 vjeç një ditë më parë në Athinë.

Burime ekskluzive i thanë Top Channel se huligani kroat Domagoj Pezer 19 vjeç tentoi të largohet nga Greqia, por u ndalua në pikën e kufirit grek të Kakavijës.

Ai u prangos dhe para pak minutash u dërgua në drejtorinë e Policisë Janinë ku do të merret në pyetje.

Pas ngjarjes, ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Oikonomou ka urdhëruar largimin e menjëhershëm nga detyrat 7 oficerëve të policisë greke EL.AS dhe ka dhënë porosi për hapjen e një hetimi të brendshëm pas vrasjes së një 29 vjeçarit grek në incidentet e dhunshme mes huliganëve kroatë e grekë në Athinë.

Nga përleshjet e dhunshme 29-vjeçari grek Michalis Katsouris është qëlluar disa herë me thikë nga një tifoz kroat dhe ka humbur jetën, ndërsa edhe 8 persona të tjerë, pesë grekë dhe tre kroatë janë plagosur.

Sipas informacioneve nga burime policore, një grup prej 150-200 tifozësh të organizuar të Dinamos së Zagrebit kanë mbërritur me makinat e tyre në Greqi, pavarësisht urdhrit të ndalimit të lëvizjes së tifozëve nga Kroacia, për ndeshjen kundër AEK-ut, në OPAP Arena.


Ata duket se kanë vepruar në bazë të një plani të organizuar, pasi sapo kanë arritur në rrugën Attiki Odos, makinat e tyre u shpërndanë dhe një numër i madh u drejtuan për në stacionin e metrosë Eirini, ku janë takuar me tifozë të ekipit grek të Panathinaikos dhe së bashku kanë hipur në trenin elektrik dhe kanë zbritur në stacionin Pefkakia duke shkuar më pas në këmbë drejt stadiumit të AEK-ut. Ata kanë shkaktuar dëme në shumë dyqane dhe makina dhe u kanë vënë zjarrin kazanëve të plehrave.

Pas ngjarjes, u anulua takimi dypalësh i Ministrit të Brendshëm shqiptar Taulant Ballës me homologun e tij grek Ionais Ikonomou.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel