Sulmi ishte i organizuar, si i morën jetën me thikë tifozët kroatë 29-vjeçarit grek

08/08/2023 08:32

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Atikës po merren në pyetje të arrestuarit në ngjarjet e përgjakshme që kanë ndodhur dje në mbrëmje jashtë stadiumit të AEK-ut të Athinës OPAP ARENA, në lagjen Nea Filadhelfia të kryeqytetit, mes tifozëve të AEK-ut dhe Dinamos së Zagrebit.

Nga përleshjet e dhunshme një 29-vjeçar grek është qëlluar disa herë me thikë nga një tifoz kroat dhe ka humbur jetën, ndërsa edhe 8 persona të tjerë, pesë grekë dhe tre kroatë janë plagosur dhe mjekohen në spital.

Autoritetet kanë bërë gjithsej 96 arrestime: (8 në spital ) 88 ndodhen në Drejtorinë e Policisë , midis të cilëve 82 kroatë, një austriak, një boshnjak, një shqiptar, një gjerman dhe dy grekë.

Sipas informacioneve nga burime policore , një grup prej 150-200 tifozësh të organizuar të Dinamos së Zagrebit kanë mbërritur me makinat e tyre në Greqi, pavarësisht urdhrit të ndalimit të lëvizjes së tifozëve nga Kroacia, për ndeshjen e sotme kundër AEK-ut, në OPAP Arena.

Ata duket se kanë vepruar në bazë të një plani të organizuar, pasi me të arritur në rrugën Attiki Odos, makinat e tyre u shpërndanë dhe një numër i madh u drejtuan për në stacionin e metrosë Eirini, ku janë takuar me tifozë të ekipit grek të Panathinaikos dhe së bashku kanë hipur në trenin elektrik dhe kanë zbritur në stacionin Pefkakia duke shkuar më pas në këmbë drejt stadiumit të AEK-ut.

Ata kanë shkaktuar dëme në shumë dyqane dhe makina dhe u kanë vënë zjarrin kazanëve të plehrave.

Pas përfundimit tragjik të incidenteve të dhunshme me vdekjen e tifozit 29-vjeçar, mësohet se ndeshja është shtyrë.

Ky ka qenë edhe shkaku që është anuluar takimi i sotëm i ministrit grek të Mbrojtjes së Qytetarit Ioanis Ikonomou dhe homologu i tij shqiptar Taulant Balla në pikën kufitare të Kakavijës.

Top Channel