Të lexosh buzët është bërë një “profesion” tashmë për disa njerëz, të cilët zgjedhin të “deshifrojnë” bisedat e të famshmëve në tapetin e kuq, por jo vetëm.

Ata po fitojnë shumë ndjekës të zjarrtë në TikTok, por po ashtu edhe para, pasi kurioziteti për të zbuluar se çfarë thonë yjet botërorë është i lartë.

Një ndër to është edhe Nina Dellinger, 16-vjeçarja amerikane, e cila tregoi për New York Times se e zbuloi aftësinë e saj për të lexuar buzët me një shok klase. Adoleshentja tha se e kuptoi atë edhe pse nuk dëgjonte asgjë.

Kështu ajo pa bisedën e thellë mes Taylor Swift dhe Phoebe Bridgers në iHeartRadioMusic ku nuk dëgjohej se çfarë thonin, teksa ishin ulur në rreshtin e parë të eventit.

Dellinger, publikoi një audio të qartë të asaj që ajo mendon se po thotë Swift, duke pretenduar se ylli i thotë shoqes së saj: “Ai është lloji i personit që pëlqej, kështu që, është shumë mirë ta kem atë afër meje “me kohë të plotë”… shumë mirë’.

Gjithashtu edhe pas bisedës virale të tensionuar të J-Lo me bashkëshortin e saj Ben Affleck në Grammy të këtij viti, u shfaqën qindra video në rrjete sociale, në përpjekje për të zbuluar se çfarë thotë çifti i famshëm. Në video pretendohet se këngëtarja i thotë “provoje, provoje” bashkëshortit të saj.

Edhe klipe të tjera të çiftit u bënë virale, ku duket se Lopez kritikohet nga Affleck për një gotë verë. Sipas “lexuesit të buzëve”, ata pretendojnë se ai i tha këngëtares “asnjë më shumë”, teksa fotografoheshin në festën e filmit Shotgun Wedding.

Një tjetër lexuese buzësh,  Krystin Kalvoy, 25 vjeç, ka grumbulluar miliona shikime me interpretimet e asaj që thonë disa nga yjet më të famshëm në botë.

Ajo u tha ndjekësve se kishte lindur me humbje të dëgjimit, duke thënë :”Për shkak të kësaj unë mbështetem shumë në shprehjet e fytyrës së njerëzve, lëvizjet e duarve, buzët e tyre për t’ia dalë mbanë”.

25-vjeçarja pranon se kjo nuk është një punë por e bën vetëm për argëtim.

Kështu aftësia për të lexuar buzët është bërë kaq e kërkuar, aftësi kjo që po paguhet. Kjo shënon një epokë të re në kulturën e të famshmëve.

Top Channel