Lituania do të mbyllë dy nga gjashtë pikëkalimet kufitare me Bjellorusinë, për shkak të shqetësimeve lidhur me praninë e mercenarëve të Wagner-it, njoftoi të premten zëvendësministri i Brendshëm.
“Ne po përgatisim vendimin për mbylljen e dy pikëaklimeve kufitare”, tha Arnoldas Abramavicius për AFP-në.
Sipas tij, pikëkalimi kufitar i Sumskos dhe ai i Tvereciausit do të mbyllen.
Lituania, shtet anëtar i NATO-s në krahun lindor të aleancës, pritet që të zyrtarizojë këtë vendim javën e ardhshme.
Bjellorusia – aleatja e Moskës – është nikoqire e luftëtarëve të Wagner-it, të cilët u zhvendosën në këtë shtet pas rebelimit ndaj ushtrisë së Rusisë.
Liderët e Lituanisë dhe Polonisë më herët gjatë kësaj jave thanë se afër 4.000 mercenarë veçse janë stacionuar në Bjellorusi.
Të dyja shtetet po e shqyrtojnë marrjen e një vendimi të përbashkët për mbylljen e tërësishme të kufijve me Bjellorusinë, pas shqetësimeve se luftëtarët e Wagner-it mund të tentojnë të kalojnë kufijtë të kamufluar si migrantë dhe të kryejnë akte provokuese brenda këtyre dy shteteve.
Abramavicius tha se përveç mbylljes së dy pikëkalimeve kufitare, Lituania duhet të bëhet gati “që të mbyllë plotësisht kufirin në çdo moment”.
Si Polonia ashtu edhe Lituania kanë ngritur gardhe në kufijtë e tyre me Bjellorusinë dhe Rusinë, duke e akuzuar Minskun dhe Moskën se po orkestrojnë fluks të migrantëve për në Bashkimin Evropian, me qëllim që të destabizojnë 27 shtetet e bllokut.
Top Channel