Bashkitë, taksa mbi shtëpi dhe toka/ Deri në 0.2 % të vlerës, hyn në fuqi pas 3 vjetësh

03/08/2023 17:15

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik ligjin mbi taksën e pasurive të paluajtshme. Kështu pra, reforma që pritet të fillojë në vitin 2026 për njësitë e ndërtesave dhe në 2028-ën për parcelat përcakton kategoritë e taksës për bashkitë.

Tashmë taksa për pasuritë e paluajtshme do vendoset bazuar mbi çmimeve të tregut, të cilat do të përditësohen çdo vit nga Kadastra. Norma e taksimit pritet të jetë më e lartë se aktualja 0.05 % duke parashikuar të shkojë nga 0.1 % – 0.2 %.  Këtë do ta përcaktojnë këshillat bashkiakë çdo vit.

Për ekspertët kjo do të ndihmojë bashkitë që janë në vështirësi të mëdha financiare.

“Ne e dimë shumë mirë që niveli i borxhit lokal apo vendor është tepër i lartë dhe kjo zgjidh edhe njëherë plagën e bashkive të vendit që kanë mungesë fondesh. Qytetet kryesore kanë paguar në faturën e ujit, le të themi taksën e pronës, ndërkohë që ka shumë qytete që nuk kanë paguar edhe pse e kishin detyrim.“-shprehet ekspertja Romina Radonshiqi.

Por, ndërsa ligji parashikon edhe lehtësira duke i mundësuar qytetarëve të paguajnë më pak taksa për banesën e dytë, për ekspertët duhet të kihen parasysh edhe disa kritere të tjera

 “Mendoj që problemi kryesor është mbledhja e taksës, pra qeveria duhet të sigurohet që të mbledhë taksa. Sepse ne kemi probleme të pronave, ka shumë prona që nuk janë legalizuar, janë në proces legalizimi, kanë konflikte midis familjarëve. Një tjetër problem që do shtoja është fakti se qytetet janë të ndarë me zona. Duke parë çmimin e tregut, shpesh në këto zona mund të kemi apartamente apo prona që janë ndërtuar tashmë e kanë vlerë të lartë, por kemi prona që tani janë amortizuar. I bie që në të njëjtën zonë të kemi mosbarazi.”

Nga taksa e pasurinë përjashtohen ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, ndërtesat kulturore dhe pronat e shtetit dhe të njësive të Bashkisë që përdoren për qëllime jofitimprurëse. Investitorët strategjikë janë gjithashtu të përjashtuar.

Sa i përket qytetarëve përjashtohen banesat ku kryefamiljarin trajtohet me ndihmë ekonomike ose është pensionist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA