Qirinj dhe thirrje për drejtësi për Luljetën dhe të gjitha “Luljetat” e tjera që kanë humbur jetën ndër vite nga burra, partnerë, ish-partnerë dhe shfrytëzues të tyre.
Një grup aktivistesh të shoqërisë civile të ardhura kryesisht nga Tirana u mblodhën në një aksion simbolik kundër femicidit. Ky aksion vjen si përkujtimore për të gjitha gratë e vajzat e vrara. Aksioni u zhvillua te Ura e dajlanit, aty ku u vra Luljeta Preza.
Ndërsa numëruan 13 gra të vrara vetëm në 3 muaj, thirrja e tyre e fortë për të reaguar iu drejtua institucioneve.
Të parat që duhet të reagonin për gratë e vajzat e vrara padrejtësisht, thanë aktivistet, duhet të kishin qënë gratë deputete.
Luljeta Preza nga Sukthi, pjesë e komunitetit rom u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, paraditen e djeshme rreth orës 10:35 me shenja thike në trup.
Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00 të 2 gushtit, poshtë urës së Dajlanit, viktima është konfliktuar me Aldo Brahimin 22-vjeç dhe Ylli Grabovarin 45-vjeç për motive të dobëta. Më pas dy personat e kanë goditur me thikë dhe si pasojë ajo ka humbur jetën në vendin ku u gjet trupi.
Dyshohet se viktima kishte konsumuar kokainë, së bashku me tri vajzat e identifikuara si B. S. 28 vjeçe, M. M. 26-vjeçe dhe një e mitur 15 vjeç. Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Nga hetimet e para rezulton se viktima bënte një jetë endacake dhe jo rrallëherë detyrohej të shiste trupin e saj për të fituar pak para e mbajtur veten gjallë.
Top Channel