Vrasja e 32-vjeçares në Durrës, policia: Kontrolle të shtuara kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe prostitucionit

03/08/2023 17:38

Drejtori i Policisë së Durrësit, Skënder Hitaj ka dalë në një konferencë për mediat lidhur me vrasjen e 32-vjeçares Luljeta Preza dje në Urën e Dajlanit.

Skënder Hitaj deklaroi rezultatet e operacionit policor që çoi në arrestimin e dy autorëve të dyshuar të vrasjes së Luljeta Prezës një ditë më parë. Ai u shpreh se nga veprimet e thelluara hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, u bë i mundur dokumentimi i plotë i ngjarjes, si dhe u përcaktua qartë mekanizmi dhe roli i personave të përfshirë në të. Në këtë kuadër u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorëve në kohë rekord, shtetasit Aldo Brahimi 22 vjeç nga Lushnja si autor kryesor i ngjarjes dhe shtetasit Ylli Grabovari, 45 vjeç nga Durrësi si bashkëpunëtor i tij. Ndërkohë ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për tre shtetase të tjera, njëra prej tyre e mitur.

Këto shtetase deri në momentin e shoqërimit në polici, nuk e kishin kallëzuar krimin.

Në emër të Policisë, drejtori Hitaj shprehu vendosmërinë se nisur nga kjo ngjarje e rëndë do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë  fenomeneve të kundraligjshme për qëllime fitimi, si lypja dhe shfrytëzimi i prostitucionit, duke nisur me një plan masash për kontrolle në zonat me risk të lartë.

Në vijim të informacionit të dhënë, ku jeni njohur me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, nga veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes, nën drejtimin e Prokurorisë Durrës, u bë dokumentimi i plotë i ngjarjes. U përcaktua qartë mekanizmi dhe roli i personave të përfshirë në të.

U bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorëve në kohë rekord. Ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe për tre shtetase të tjera, njëra prej tyre e mitur.

Këta shtetase deri në momentin e shoqërimit në polici, nuk e kishin kallëzuar krimin.

Shprehim vendosmërinë se nisur nga kjo ngjarje e rëndë do t’i kushtohet një vëmendje e veçantë këtij fenomeni”-u shpreh Skënder Hitaj.

Luljeta Preza nga Sukthi, pjesë e komunitetit rom u gjet e pajetë poshtë urës së Dajlanit, paraditen e djeshme rreth orës 10:35 me shenja thike në trup.

Nga hetimet rezultoi se rreth orës 01:00 të 2 gushtit, poshtë urës së Dajlanit, viktima është konfliktuar me Aldo Brahimin 22-vjeç dhe Ylli Grabovarin 45-vjeç për motive të dobëta. Më pas dy personat e kanë goditur me thikë dhe si pasojë ajo ka humbur jetën në vendin ku u gjet trupi.

Dyshohet se viktima kishte konsumuar kokainë, së bashku me tri vajzat e identifikuara si B. S. 28 vjeçe, M. M. 26-vjeçe dhe një e mitur 15 vjeç. Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Nga hetimet e para rezulton se viktima bënte një jetë endacake dhe jo rrallëherë detyrohej të shiste trupin e saj për të fituar pak para e mbajtur veten gjallë.

Top Channel