Drama mori fund! Pas afro 2 orësh makth dhe rrufe në SHBA, rinis më në fund përballja Francë-Irak!

23/06/2026 02:11

Pritjes së gjatë dhe ankthit të tifozëve i ka ardhur fundi! Për herë të parë në këtë Kampionat Botëror, një ndeshje u detyrua të ndërpritet për shkak të alarmeve të motit të rëndë në Filadelfia, por tashmë topi po rrokulliset sërish në fushën e blertë.

Pjesa e dytë e sfidës mes Francës dhe Irakut ka rinisur zyrtarisht rreth orës 02:00 të mëngjesit (me orën tonë lokale), pas një pezullimi që zgjati rreth 1 orë e 50 minuta. Gjatë kësaj kohe ankthi, zyrtarët e ndeshjes ishin në kontakt të vazhdueshëm me stacionet meteorologjike. Ndonëse u përfol edhe për një pezullim definitiv të takimit, organizatorët bënë të pamundurën për të rifilluar lojën. Arsyeja e vetme për shtyrjet e njëpasnjëshme të rinisjes ishte siguria absolute e lojtarëve dhe e tifozëve, duke mos marrë asnjë vendim të nxituar derisa rreziku i rrufeve të kalonte plotësisht.

Tashmë që situata është e qetë dhe kushtet e sigurisë janë plotësuar, vëmendja rikthehet te spektakli i futbollit. Kujtojmë që pjesa e parë e këtij takimi u mbyll me shifrat 1-0 në favor të “Gjelave”.

Diferencën në fushë e bëri askush tjetër përveçse Kylian Mbappe. Në ndeshjen e tij jubilare, të 100-tën me fanellën e përfaqësueses franceze, sulmuesi lëshoi një gjuajtje të pandalshme duke theu një sërë rekordesh historike në Kampionatet Botërore. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky fraksion i dytë do të sjellë të tjerë gola dhe magji pas një pauze kaq të gjatë dhe të pazakontë.

Top Channel