Një 54-vjeçar që dyshohet se shpërndante kokainë dhe kanabis në zonën e Ksamilit është vënë në pranga.

Nën hetim për moskallëzim krimi është dhe një 33-vjeçare, pasi sipas policisë, kishte dijeni për këtë veprimtari kriminale, por nuk ka kallëzuar rastin.

Ndërkohë, 54-vjeçari do të hetohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, janë gjetur 27 doza me lëndë të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, 3 peshore elektronike për ndarjen e lëndëve narkotike në doza, 3 celularë, si dhe 13 400 lekë të rinj, 530 euro, 140 dollarë dhe 60 paund që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Disa raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike janë goditur gjatë këtij sezoni veror në bregdet dhe qytetet turistike.

Këtë muaj, një 20-vjeçar u arrestua pasi shpërndante doza kokaine dhe kanabisi, kryesisht në lokalet e natës në Himarë.

Si shpërndarës droge, janë arrestuar edhe shtetas të huaj. Gjatë qershorit, pesë të huaj u vunë në pranga në Dhërmi pasi transportonin droga të forta pushuesve. Shtetasit nga Italia, Spanja, Brazili dhe Argjentina kishin ardhur si turistë në zonën bregdetare. Nga veprimet hetimore dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.

Lexo edhe: Shtohen korrierët e drogës/ Policia arreston çdo ditë 7 persona që shesin lëndë narkotike

Top Channel