Gazetarja e Top Channel, Doriana Bezat ka deklaruar se e gjithë Shqipëria është një njollë e zezë sa i përket aksidenteve.

Për “Top Talk”, Bezat tha se megjithëse sinjalistika dhe problemet me rrugët vijojnë të mbeten shkak në rritjen e aksidenteve, mungesa e edukatës nga drejtuesit e mjeteve gjatë kohës që janë në timon po vret më shumë.

“Nga analizat e bëra nga instituti i statistikave rezulton se viktima të aksidenteve janë personat në mosha të reja nga 30-50 vjeç”- tha Bezat, duke theksuar se shumica e aksidenteve vijnë si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Sipas Bezat, numri i jetëve të humbura për shkak të aksidenteve është bilanc lufte.

“E gjithë Shqipëria është një njollë e zezë sa i përket aksidenteve. Pothuajse në çdo rrugë kemi aksidente me humbje jetësh. Në tre ditët e fundit të javës së shkuar: të premte, të shtunë dhe të diel, numërohen 6 jetë të humbura dhe dhjetëra të plagosur.

Ndërkohë që mëngjesin e sotëm dy persona humbën jetën në aksin rrugor në Lezhë. Dhe kjo është një histori që përsëritet dhe intensifikohet gjatë verës, ku fluksi i lëvizjeve të automjeteve është edhe më i madh dhe kemi persona që shkojnë me pushime dhe i lejojnë vetes të konsumojnë disa gota alkool, në rastin më të keq edhe lëndë narkotike, dhe sërish zgjedhin të drejtojnë mjetin.

Në këtë rast duhet ta vendosim theksin tek edukimi. Shumica e aksidenteve vijnë si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Edhe nga analizat e bëra nga instituti i statistikave rezulton se viktima të aksidenteve janë personat në mosha të reja nga 30-50 vjeç. Mungesa e sinjalistikës dhe problemet me rrugët vijojnë të mbeten shkak në rritjen e aksidenteve, po në pjesën më të madhe të rasteve shkaku kryesor është sjellja e drejtuesit të mjetit.

Vlen të theksohet se numri i jetëve të humbura për shkak të aksidenteve është bilanc lufte. Nuk ka javë që ne nuk raportojmë për jetë të humbura. Kjo ndodh për shkak të disa shkeljeve nga drejtuesit e mjeteve si përdorimi i alkoolit në drejtimin e mjetit, shpejtësia tej normave të lejuara dhe përdorimi i celularit, të cilat janë identifikuar edhe nga Policia dhe janë shtuar masat.

Pothuajse në 80% të aksidenteve të ndodhura kemi patjetër një nga arsyet e mësipërme si shkaktare edhe aksidenteve të rënda”- tha Bezat.

Top Channel