Gazetari Sokol Bregu ka deklaruar se Arben Ahmetaj e përdori Ramën për ti siguruar vetes azil politik në Britani apo vendet e Bashkimit Evropian.

I ftuar në “Top Talk”, Bregu tha se kur ish-numri dy i qeverisë pa që po shtrëngohej rrethi dhe ishte evidente që do të shkonte para drejtësisë për çështjen e inceneratorëve, ai u tregua shumë finok.

Sipas Bregut, Ahmetaj e provokoi kryeministrin Rama me disa mesazhe gjatë një dalje televizive, për të marrë një përgjigje publike prej tij, e cila do ta ndihmonte në momentin e fundit kur të merrte arratinë.

Pas mesazheve dhe thirrjes për debat publik, thotë Bregu, Rama e “hëngri karremin” duke u përgjigjur se “po të isha unë gjyqtari gjërat do të rridhnin ndryshe”, deklaratë që përballë drejtësisë në vendet ku Ahmetaj mund të kërkojë azil, provojnë se çështja ndaj tij është politike.

“SPAK-u e ka lëshuar urdhër-arrestin. Do të priten disa ditë dhe pastaj Arben Ahmetaj do të shpallet në kërkim ndërkombëtar. Por Ahmetaj është një politikan i vjetër dhe shumë finok.

Gjatë kohës që po i përgatitej dosja ai thirri në distancë kryeministrin Edi Rama. E thirri në një debat publik sepse nuk mund të bënte një debat ‘tek e tek’ me të.

Nga një studio televizive i çoi disa mesazhe, për të cilat e dinte fare mirë që kryeministri i vendit nuk do të rrinte dot pa iu përgjigjur. Dhe Rama iu përgjigj duke thënë se: Po të isha unë gjyqtari gjërat do të rridhnin ndryshe.

Po atë ditë, në mënyrë të çuditshme BKH-ja shkon dhe bën kontrollin e bashkëjetueses së zotit Ahmetaj, një kontroll ky i parashikuar të bëhej një ditë më pas. Dhe vetëm me këtë fakt zoti Ahmetaj mund të marrë në një shtet siç është Britania e Madhe të drejtën për një azil politik. Unë dyshoj jashtëzakonisht se Ahmetaj e bëri pikërisht për këtë gjë. Ai kërkoi disa deklarata të kryeministrit ndaj tij.

Por, pse kërkoi pikërisht Ramën? Sepse për çështjen Ahmetaj askush në PS, askush tjetër në qeveri, nuk do të thoshte asnjë fjalë ashtu sikurse nuk kanë thënë edhe për raste të tjera më parë.

Vetëm për shkak të këtij rasti z. Ahmetaj mund ta marrë një të drejtë qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian apo qoftë edhe Britaninë e Madhe ku mendohet se është. Ahmetaj mesa di unë ka kohë që rri atje. Dy vitet e fundit e ka ndarë jetën e tij mes Tiranës dhe Londrës për arsye familjare dhe personale.

Të mos harrojmë se në Britani drejtësia nuk i ka shumë qejf historitë e ndërhyrjes së politikës, kështu që kam përshtypjen se do t’ia japë azilin për të qëndruar aty”- tha Bregu.

Top Channel