Publiku mbështeti talentin italian, Gjokoviç shpërthen kundër tifozëve në Wimbledon

14/07/2023 21:53

Novak Gjokoviç siguroi finalen e nëntë sa i takon historisë së tij personale në Wimbledon dhe të dielën do të vendoset në kërkim të titullit numër tetë, që do të barazonte numrin e trofeve që ka në këtë turne legjenda Roger Federer.

Në gjysmëfinale tenisti serb mposhti në tre sete (3-0) Jannik Sinner teksa numri dy i botës hasi probleme vetëm në setin e tretë. Aty italiani pati dy mundësi për ta fituar setin dhe tifozët e pranishëm në “Centre Court” nisën ta kurajonin 21-vjeçarin që po bënte maksimumin kundër “Noles”. Por, duartrokitjet e shpeshta për Sinner acaruan Gjokoviç që pasi fitoi një pikë u kthye nga publiku duke bërë disa gjeste.

Veprime që nuk i pëlqyen aspak të pranishmëve që e kontestuan serbin, por që në fund nuk e shpërqëndruan me Gjokoviç që arriti ta mbyllë me sukses ndeshjen duke prekur finalen. Në prononcimin e parë pas sfidës, Gjokoviç u mundua të qetësonte publikun dhe përgëzoi Sinner për ndeshjen e duke fituar disa duartrokitje./ Supersport

Top Channel