Dëshmia/ “Po meditoja”, i vuri zjarrin lokalit të Noizyt! Gjykata lë në burg kushëririn e këngëtarit

03/07/2023 12:59

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg kushëririn e Noizy, Eraldo Musteqjan, pasi akuzohet se i vuri zjarrin tri herë brenda një muaji pronave të këngëtarit Noizy.

Ndaj 26-vjeçarit prokuroria e Durrësit ka ngritur dy akuza, atë të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik.

Ai gjithashtu akuzohet se është autori i dyshuar i vendosjes së zjarrit në lokalin e këngëtarit në Currila të Durrësit mëngjesin e 29 qershorit.

Nga ana tjetër, Eraldo Musteqja është ankuar se policia e keqtrajtoi gjatë arrestimit në flagrancë. Ai u kap në zonën e Currilave nga punonjësit e policisë, pak pas rënies së zjarrit dhe ka bërë rezistencë ndaj tyre. Në momentin e arrestimit atij iu sekuestrua edhe një thikë.

Në sallën e gjyqit, 26-vjeçari nuk ka pohuar, as ka mohuar akuzën për zjarrvënie, ndërsa ka deklaruar se ka reaguar pasi policët kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Sipas tij, ka qenë në zonë pranë lokalit për të medituar dhe ka qenë duke u larguar nga aty, kur është përballur me policinë. Përveç zjarrit të 29 qershorit, Musteqja dyshohet se është autor dhe i dy zjarrvënieve të tjera, njëra më 11 qershor në të njëjtin lokal i cili u shkrumbua thuajse plotësisht dhe më 10 qershor në derën e shtëpisë së familjes së këngëtarit.

Pas zjarrit që ra javën e kaluar për herë të dytë në lokalin e tij, reperi deklaroi se kushëriri i tij është besimtar ekstremist dhe kundër alkoolit dhe muzikës që luhet në lokal.

Sipas tij, ky është shkaku i konfliktit mes tyre që çoi në akte ekstreme 26-vjeçarin. Këto mbështeten dhe nga komunikimet mes palëve me mesazhe, ku Musteqja i kërkon të heqë dorë nga droga dhe alkooli, ndërsa i kërkon dhe të shlyejë detyrimin ndaj tij. Një detyrim për të cilin ai nuk ka dhënë shpjegime të tjera deri në këtë fazë të hetimit.

Para gjyqtares së seancës 26-vjeçari dhe mbrojtja e tij kanë kërkuar lirimin, ndërsa prokurori i çështjes lënien e tij “arrest në burg”. Pasi ka dëgjuar palët, gjykata e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin dhe e  la në burg pa afat të riun deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar edhe pamje të kamerave të sigurisë ku shfaqet rezistenca e tij ndaj efektivëve të policisë në çastin e arrestimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA