Vala e të nxehtit “pushton” Meksikën, të paktën 112 të vdekur

30/06/2023 16:40

Të paktën 112 persona kanë ndërruar jetë në dy javët e fundit në Meksikë për shkak të nxehtit, pasi temperaturat kapën vlerat shumë të larta deri në 50 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.

Një valë e nxehtë trejavore ka detyruar autoritetet të pezullojnë mësimet në disa zona. Sipas ministrisë së Shëndetësisë më shumë se dy të tretat e vdekjeve kanë ndodhur në javën 18-24 qershor, ndërsa pjesa tjetër javën e kaluar.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është regjistruar vetëm një vdekje e shkaktuar nga i nxehti. Pothuajse të gjitha vdekjet i atribuohen nxehtësisë dhe disa dehidratimit.

Rreth 64 për qind e vdekjeve ndodhën në shtetin verior të Nuevo Leon, ndërsa të tjerët në vende të tjera. Mosha e viktimave vijon nga 45 deri në 64 vjeç, ndërsa temperaturat vijojnë të mbeten tejet të larta.

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar njoftoi se vala e të nxehtit mbarëkombëtar pritet të zgjasë edhe 15 ditë të tjera, për këtë arsye këshilloi që pacientët kronikë të mos dalin jashtë në orare të caktuara nëse nuk është e nevojshme.

Njëkohësisht 127 milionë banorët janë paralajmëruar se do të përballen më një valë të re të të nxehtit.

Top Channel