“Akt terrori” në Kramatorsk të Ukrainës – raketat vrasin civilë

28/06/2023 13:54

Nëntë persona u vranë, përfshirë tre fëmijë, nga raketat ruse që goditën qendrën e Kramatorskut në Ukrainën lindore.

Në shënjestër të sulmeve që ndodhën të martën mbrëma, ishin një restorant dhe një qendër tregtare.

Qyteti është nën kontrollin e Ukrainës, por gjendet pranë pjesëve të pushtuara nga Rusia.

Sipas shërbimeve të emergjencës në Ukrainë, së paku 56 persona u plagosën në sulme.

“Ekipet e shpëtimit po punojnë nëpër rrënojat e ndërtesës së shkatërruar dhe po kërkojnë njerëz që ndoshta janë ende nën to”, thanë zyrtarët e urgjencës në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Autoritetet lokale thanë se në zonë kishte prani të madhe civilësh, kur raketat goditën.

“Kjo është qendra e qytetit. Restorantet ishin të mbushura me civilë”, tha guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko, për televizionin ukrainas.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cilësoi sulmet si “akt terrori”. Ai tha se ato i dëshmuan Ukrainës dhe botës se Rusia meriton “vetëm humbje” dhe “një gjykatë kundër të gjithë vrasësve dhe terroristëve rusë”.

Shtëpia e Bardhë e dënoi Rusinë për, siç tha, “sulmet brutale” në Kramatorsk dhe u zotua se do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur dhe për të rikthyer territoret e pushtuara nga forcat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe komandanti i forcave tokësore të ushtrisë ukrainase, koloneli
“Ne i dënojmë sulmet brutale të Rusisë kundër popullit të Ukrainës, të cilat kanë shkaktuar vdekje dhe shkatërrime të mëdha”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Kramatorsku ka qenë shpesh në shënjestër të sulmeve, prej se Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Qyteti me 150.000 banorë është një nga më të mëdhenjtë që vazhdon të jetë nën kontrollin e Ukrainës në lindjen e pushtuar. Ai shtrihet vetëm rreth 30 kilometra larg vijës së frontit.

Në prill të vitit të kaluar, më shumë se 60 njerëz janë vrarë në Kramatorsk, pas një sulmi me raketa në stacionin hekurudhor të qytetit.

Moska mohon se bombardon popullsinë civile në Ukrainë, pavarësisht dëshmive që flasin për të kundërtën.

Më 18 qershor, OKB-ja ka konfirmuar vdekjen e 9.083 civilëve në Ukrainë, si rezultat i pushtimit rus, edhe pse shifrat besohet të jenë shumë më të larta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA