Kampionati Kombëtar Individual i Çiklizmit të dielën ka ulur siparin, ndërsa ka shpallur dhe fituesit e garës së rrugës.

Për kadetë etapa ishte e gjatë 44 kilometra. Për të rinj, apo junior, 102 kilometra e për Elitë dhe U-23 167.5 kilometra. Gjithçka nisi e përfundoi në kryqëzimin e Marinëz, kurse ceremonia e shpërndarjes së medaljeve u bë në qendër të Belshit.

Mikail Pali i Skënderbeut ishte fitues për kadet. Për të rinj triumfi shkoi për Emil Priftajn e Tiranës, kurse për elitë dhe U-23 për Lukas Sulaj Klottenburg, që mundi në finish Olsian Veliaj, si dhe Ylber Sefën, që garën e ka kryesuar për gati pesë xhiro.

Për presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, grupi i të rinjve të ardhur nga Italia, teksa përfaqësojnë klubet e vendit, janë një perspektivë e mirë për ekipin kombëtar, që bëhet gati të marrë pjesë në një seri aktivitetesh ndërkombëtare.

E ndërkohë në fundin e muajit qershor, Korça do të jetë mikpritësja e Kupës së Shqipërisë, ndërsa presidenti i Skënderbeut, Leonard Bejko, kërkon më tepër mbështetje nga Bashkia e qytetit juglindor.

Top Channel