Policia e Kosovës ka dhënë detaje të sulmit të 29 majit ndaj policisë në Zveçan.

Policia ka informuar se rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur mjete eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë dhe tulla betoni kanë sulmuar shërbimet e policisë.

Rasti është cilësuar si “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

“Zveçan/Rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur mjete eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë dhe tulla betoni kanë sulmuar zyrtarët policorë të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ana tjetër protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave, po ashtu edhe atë të Top Channel.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA