Dusan Vlahovic mund të ketë luajtur kundër Empolit ndeshjen e fundit me fanellën bardhezi.
Pasi mungoi ndaj Milanit dhe është në dyshim edhe për transfertën e fundit ndaj Udineses, sulmuesi është në qendër të merkatos së Juventusit.
Që mund ta shesë për një ofertë të mirë, duke parë rendimentin e dobët në fushë. Pretendentët nuk mungojnë edhe mes skuadrave të mëdha të Europës, me Bayern Munchen në krye të listës.
Prej kohësh gjermanët ndjekin Vlahovic, pasi janë në kërkim të një sulmuesi me peshë. Pasi nuk ia dolën të zëvendësojnë Lewandowskin me një pykë në lartësinë e duhur.
Për momentin oferta e Bayernit arrin maksimumi 50-60 milionë euro, duke përfshirë dhe bonuset. Një shifër që konsiderohet e papërshtatshme në Torino ku pretendojnë të arrijnë të paktën 80 milionë euro.
Një distancë e madhe, por që mund të ngushtohet siç ndodhi verën e kaluar me De Ligt. Raportet mes dy klubeve janë të mira, dhe mund të arrihet një marrëveshje.
Kjo edhe për faktin se Bayerni deri më tani ka marrë një refuzim nga Harry Kane. Ndërkohë që kërkesa e Eintracht Frankfurt për Randal Kolo Muani ka prekur shifrën astronomike të 120 milionë eurove.
Në këtë mënyrë, 23-vjeçari përfaqëson një alternativë të mirë për Bayernin për sa i përket raportit cilësi-çmim. Nga ana tjetër, Juventusi është i hapur ndaj idesë së shitjes, pavarësisht faktit se cili do të jetë trajneri i sezonit të ardhshëm. Në klubin bardhezi mes zëvendësuesve të mundshëm figurojnë Hojlund i Atalantës dhe Scamacca i West Ham.
Top Channel