Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i bëri sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri. Sipas tij, përshkallëzimi i situatës i pengon përpjekjet në proceset integruese për dy vendet.

Diplomati amerikan doli në një deklaratë pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s, në Oslo të Norvegjisë.

“Në diskutimin e sotëm, shumë aleatë gjithashtu shprehën shqetësimin për rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe dënuan ashpër sulmet e fundit ndaj trupave të KFOR-it. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj së Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të de-përshkallëzuar tensionet. Ne mbështesim procesin e integrimit euroatlantik për Kosovën dhe Serbinë, por përshkallëzimi aktual i pengon përpjekjet”, tha Blinken.

Sipas tij, palët duhet të ndalojnë angazhimin në veprime të njëanshme dhe t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Shtetet e Bashkuara tashmë kanë forca atje si pjesë e misionit ekzistues, ne kemi disa qindra forca si pjesë e misionit të KFOR-it. Gjëja më e rëndësishme është që vetë palët të ndalojnë angazhimin në veprime të njëanshme dhe t’i rikthehen dialogut të udhëhequr nga BE. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që ne po u bëjmë thirrje fuqishëm të dyja palëve të bëjnë”, shtoi më tej ai.

Të mërkurën është bërë e ditur se NATO ka dislokuar 700 forca shtesë në Kosovë, si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, ku protestuesit lanë të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it.

NATO ka bërë të ditur se ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

Top Channel