“Nuk mund të bësh zgjedhje me 4 %”/ Baçi në “Top Talk”: Kurti duhet të caktonte guvernatorë, jo të zgjidhte kryetarë

30/05/2023 18:59

I ftuar në “Top Talk” analisti Agim Baçi u shpreh se do të ishte më e ndershme që në veri të Kosovës të dërgoheshin guvernatorë dhe jo kryetarë të zgjedhur me vetëm 4 %.

Sipas tij caktimi i guvernatorëve deri në momentin që serbët e krahinës do të hynin në zgjedhje do të ishte veprimi i duhur.

“Çështja është si do të përparojmë, thelbi është si do të përparojnë bisedimet Prishtinë-Beograd. Ky është thelbi i çështjeve që të arrihet një marrëveshje që në fund fare të kemi një njohje reciproke. Përderisa ky është qëllimi fundor çdo gjë do të jetë në favor të kësaj axhende. Normalisht dihet se si serbët e kanë përdorur veriun e Kosovës, por në një mënyrë paradoksale nuk mundet dot të bësh zgjedhje me 4 % dhe të drejtojnë 4 %, ku fare mirë mund të emërosh, është me e ndershme, nga qeveria guvernatorë deri në momentin që serbët e kësaj krahine do të hyjnë në zgjedhje”, u shpreh analisti.

Baçi ndër të tjera u shpreh se një nga elementët që ka ndikuar në gjendjen aktuale në veri të Kosovës është refuzimi I Kurtit të ulet në diskutimet me ndërkombëtarët.

“Është më e ndershme guvernatori. Të çosh guvernatorë nënkupton që është një përgjegjësi politike e jotja meqënëse tjetri ka bojkotuar. Në prononcimet që ka pasur Kurti për mediat shqiptare, ka qenë këmbëngulja se çfarë do të ndodhë me asociacionin sepse serbët normalisht këtu do ta kenë pikën kyçe. Kurti deklaronte se nuk do të ishte kjo pika fillestare, por pika 7. Rezultoi se kjo është pika më e dobët e të gjitha marrëveshjeve dhe ndoshta do të ishte një zgjidhje që të kërkohej konsensus kombëtar. Koalicioni shumë i madh i ka munguar Prishtinës. Kurti ka refuzuar të ulet me pjesën tjetër, ndërkohë duhet të kishte këmbëngulur qëndrimet që qëndrimet që kanë të bëjnë me Beogradin duhet të kishin një koncensus”, shtoi më tej ai.

Top Channel