Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë tentuar të futën sërish sot në objektet e komunës në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, ku për këtë është dashtë të ndërhyjë Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës bën të ditur se serbët lokalë kanë paralajmëruar protesta dhe gjatë protestës kanë shfaqur dhunë duke hedhur gaz lotsjellës, ku kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu future me dhunë në objektet komunale.
Policia njofton se po përkujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
“Sot, në veri të vendit, është paralajmëruar të mbahen protesta/tubime, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare, po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe detyrave të përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Siç bën të ditur Policia, protestuesit kanë shfaqur dhunë para objektit të komunës së Zveçanit.
“Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveçanit protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”, bëhet e ditur në njoftim.
Top Channel