“Nuk ka fuqizuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në”/ Çeku në “Top Talk”: Kurti sovranist kokëfortë

29/05/2023 19:25

Ish-ambasadori Arben Çeku i ftuar në emisionin “Top Talk” e quajti kryeministrin e Kosovës një sovranist kokëfortë, ndërsa u diskutuan tensionet në veri pas marrjes së detyrës nga kryetarët shqiptarë të komunave.

Sipas tij, po të mos ishin forcat e KFOR-it në veri të Kosovës, situate nuk do të menaxhohej në këtë mënyrë.

“Të urojmë që do të jetë në favor të Kosovës sepse dua të kujtoj se sovraniteti i Kosovës ende është i paplotësuar. Në qoftë se atje nuk do të ishin forcat e KFOR-it sot në veri të Kosovës, atëhere cili stabilitet do të ishte i garantuar atje. Sot po flasim për një shtet i cili po mbahet nga partnerët, nga NATO. Sot po negociohet që trupat e policisë së Kosovës të dalin të qetë nga godinat. Këto lloj skenash nuk janë të favorshme për Kosovën”, tha ish-ambasadori.

Ndërkohë nga ana tjetër Çeku u shpreh se kryeministri Albin Kurti nuk ka fuqizuar marrëdhëniet me SHBA-në e BE-në, dhe se po tregohet kokëfortë, për këtë arsye ka mbetur pa mbështetje reale.

“Askush nuk do ta pranonte dot që kryetarët e komunave të zgjedhur me një grusht votash të arrijnë të vendosin sovranitetin e Kosovës, ashtu siç u bë edhe me targat. Është një CV e tërë e veprimtarisë së kryeministrit Kurti, i cili deri më tani nuk e ka konsoliduar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Nuk i ka fuqizuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, nuk i ka stabilizuar situatën brenda vendit. Ai po përpiqet të tregohet një lider kokëfortë që është një sovranist pa një mbështetje reale, duke vënë në vështirësi klasën politike të Kosovës. Unë mendoj që Kosovën po e fut në një rrugë shumë të vështirë zoti Kurti”, deklaroi ai.

Top Channel