Komisioneri europian i zgjerimit, Oliver Varhelyi, viziton sot Kosovë për takime, siç theksohet në deklaratën e Komisionit Euriopian, me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, por edhe përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile.
“Këto takime do të ofrojnë mundësinë për të shqyrtuar raportet mes Kosovës dhe BE-së dhe për të diskutuar për zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, përfshirë ato në fushën e drejtësisë, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në njoftim.
Pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite megjithatë konsiderohet nisja e një programi të përbashkët mes BE-së dhe Kosovë për forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është thënë se pas takimeve me krerët shtetërorë, zyrtari i lartë europian, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, do të inaugurojnë “Programin BE-Kosovë për punë të brendshme”.
“Qëllimi i këtij programi është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së”, nënvizohet në njoftimin e KE-së. Aty shpjegohet se ky program i bllokut europian, financuar me 6.5 milionë euro, do të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh, me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës.
Ai konsiderohet se do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar. Kosova dorëzoi në 15 dhjetor të vitit 2022, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Top Channel