Ikën gazi rus, vjen gazi amerikan: Përfaqësues të qeverisë malazeze dhe të kompanive amerikane firmosën në Podgoricë një Memorandum për zbatimin e dy projekteve të rëndësishme të infrastrukturës energjetike.

Kryeministri Dritan Abazoviç sqaroi se projektet në fjalë do të ndihmojnë ndër të tjera të zvogëlohet varësia e vendit nga gazi rus. Bëhet fjalë për ndërtimin e një terminali për importin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe instalimin e një termocentrali me gaz, furnizimi i të cilit do të vijë përmes terminalit. Si projekti i terminalit, ashtu dhe ai i termocentralit do të jenë në portin e Tivarit.

“Kjo është e rëndësishme në mënyrë gjeopolitike për ne, sepse zvogëlon varësinë nga gazi rus. Por mbi të gjitha, kjo tregon se ne e dimë drejt kujt duam të lëvizë vendi ynë në 10 apo 20 vitet e ardhshme“, tha Dritan Abazoviç, kryeministër i Malit te Zi.

Memorandumi u nënshkrua nga Abazoviç, Phil Pyle, përfaqësues i Enerflex Energy Systems dhe Olin L. Wethington, president dhe shef ekzekutiv i Wethington Energy Innovation. Wethington tha se Mali i Zi do të gjejë tek  kompanitë amerikane partnerin më të mirë teknologjik.

Sipas dokumentit, terminali dhe termocentrali duhet të nisin punën diku nga fundi i vitit 2025.  Ata nuk saktësuan datën e fillimit të punimeve apo vlerën e investimit, duke pohuar se kjo do të varet nga shumë faktorë.

Top Channel