Arrestimi Fredi Belerit para zgjedhjeve/ Gazetari: Greqia ndërhyri për Himarën, njoftoi Kanceleritë e Europës

12/05/2023 18:34

Gazetari Mentor Kikia zbuloi se në lidhje me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, janë njoftuar të gjitha Kancelaritë e Europës.

Në një lidhje direkte për “Top Talk” ai tha se kjo çështje mund të ishte kursyer, përpara zgjedhjeve që do të mbahen të dielën, më 14 maj.

“Edhe pse ky është një problem që lidhet me drejtësinë apo politikën shqiptare, implikimi i politikës greke, edhe pse ata në deklaratat e tyre pohojnë se ka prova, kjo ishte një çështje që edhe mund të ishte kursyer. Sepse kryeministri grek njofton presidenten e Këshillit të Europës, ministri i Jashtëm njofton ministrin e Suedisë që ka presidencën e ardhshme, Ministrinë e Jashtme të BE-së. Kancelaritë e Europës u vunë sot në dijeni, u informuan për një incident që ka ndodhur në Himarë, dhe nëse do të duhej që Europa të investohej, duhej të investohej për të parë standardet e zhvillimit të zgjedhjeve dhe fushatës. Mos merrej më këtë histori për të cilën mund të ishte zhvilluar një proces hetimor, nëse kanë prova”, tha Kikia.

Gazetari deklaroi se nëse hetimi do të zhvillohej, jo në këtë mënyrë, mund të ishte shmangur konflikti me Greqinë.

“Unë mendoj që janë të gjitha mundësitë që ta kishin shmangur edhe këtë lloj konflikti me Greqinë, e cili për hir të vërtetës ka qenë gjithmonë vigjilent. Ka disa deklarata dhe ka njoftime të dërguara në Kancelaritë e Europës”, shtoi më tej ai.

Top Channel